Ish-deputetët dorëzojnë makinat në Kuvend
Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se shteti do të jetë "në dietë" dhe deputetët e zyrtarët e lartë nuk do të përfitojnë më shërbime makinash. Ende pa u shndërruar ky urdhër në projektligj, Kuvendi e ka marrë mesazhin menjëherë dhe ka nisur procedurat për t‘i vënë në dijeni të gjithë ish-deputetët dhe deputetët aktualë se duhet të dorëzojnë në Kuvend automjetet që ky institucion ju kishte dhënë për përdorim. Shkresa është nisur më 18 shtator nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Albert Kushti, i cili ju kujtonte deputetëve se afati i fundit për dorëzimin e makinave ishte 21 shtatori. Pas kësaj date, për të gjithë ata që nuk e kishin respektuar urdhrin, makinat do të bllokoheshin nga Policia e Shtetit. Kjo ishte shkresa e dytë që sekretari Kushti ju kishte nisur deputetëve, sepse shpresa e parë ka dalë që në muajin gusht. Drejtori i transportit në Kuvend bën të ditur për gazetën se ky nuk ka qenë ndonjë problem për ta. Sipas tij, pjesa më e madhe e ish-deputetëve kanë dorëzuar në Kuvend makinat që kanë pasur në përdorim dhe kanë mbetur vetëm dy prej tyre të cilët jo se janë shprehur kundër, por për arsye objektive shoferët e tyre nuk kanë mundur t‘i bëjnë në kohë dorëzimet. Sipas asaj çka sqarojnë drejtuesit e zyrës së transportit në Kuvend, pas mbledhjes së fundit të qeverisë, ku Kryeministri Berisha miratoi projektligjin, kanë nisur të bëjnë dorëzimet e makinave të tyre edhe deputetët aktualë. Kryeministri Berisha po vë në zbatim premtimin e bërë gjatë fushatës se do i "zhvishte" zyrtarët nga privilegjet e transportit. Sipas kreut të qeverisë, deputetët, zv/ministrat dhe të gjithë drejtuesit e lartë të administratës shtetërore, nuk do të lëvizin më me automjete të paguara nga shteti, por do të marrin para në dorë për të paguar naftën. Relacioni i Ministrisë së Financave përcaktonte ndarjen e këtij fondi në bazë të katër kategorive. Gjithashtu në relacionin e përgatitur nga Ministria e Financave sqarohej se do të jenë të pajisur me automjete vetëm Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, ministrat, kryetari i opozitës, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i Shërbimit Informativ. Për Kryeministrin Berisha, ky projektligji vendos standarde të reja në shërbimin e transportit të zyrtarëve dhe funksionarëve të shtetit. Ligji njeh detyrimin e shtetit dhe të qeverisë që të krijohen lehtësirat e domosdoshme për veprimtarinë e tyre të përditshme ofiqarëve të shtetit. Qeveria do të marrë së shpejti një vendim edhe për fatin e makinave, që janë aktualisht në pronësi të ministrive dhe të gjitha dikastereve shtetërore që preken nga projektligji për transportin e zyrtarëve.