E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, prokurorisë: Kërko heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut

Vëmendja e Partisë Socialiste u rikthye dje sërish te tragjedia e Gërdecit. Deputeti Saimir Tahiri i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të depozitojë në Kuvend sërish kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Në vlerësimin e deputetit socialist, Gërdeci është një tragjedi e dyfishtë, sepse herën e parë banorët e kësaj zone u goditën nga shpërthimi korruptiv shtetëror, dhe herën e dytë janë goditur nga mohimi i drejtësisë në dyert e një sistemi që çalon dukshëm. Sipas selisë rozë, "tragjedia e Gërdecit është simboli më elokuent që dëshmon se si shteti mund të shfrytëzojë deri në vdekje fëmijë, gra, burra e të moshuar". Se si qeveria, tha ai, nga Kryeministri e deri te ministri më i fundit, mund të korruptohet deri në vrasje. "Se si aparati administrativ që mbahet me taksat e qytetarëve, mund të kthehet në makinerinë e shërbimit për sipërmarrjen më mizore e mafioze. Se si drejtësia, për paaftësi a korrupsion, mund të kthehet nga një instrument për të dhënë drejtësi, në një pretekst për të mbrojtur fajtorët", këmbënguli Tahiri. Duke intensifikuar sulmet ndaj Kryeministrit, deputeti i PS-së u shpreh se "Sali Berisha strehon Fatmir Mediun, një të kërkuar për vrasjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, duke e punësuar për ministër, ndërkohë që edhe sipërmarrësi më i vogël i Republikës, një person me të tillë akuzë, nuk do e kishte punësuar as për kamerier". Në emër të PS-së, Tahiri i bëri thirrje Kryeministrit Sali Berisha që të shprehë qartë, pa ekuivokë dhe larg çdo deklarate demagogjike, gatishmërinë e tij për të hequr imunitetin e ministrit Fatmir Mediu, si dhe të ndalojë çdo formë presioni apo joshjeje ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë. Gjithashtu, PS i bëri thirrje edhe Gjykatës së Lartë të zbardhë menjëherë Vendimin për Pushimin e Çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht nxiti me forcë Prokurorinë e Përgjithshme të depozitojë menjëherë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Mediu, duke i hapur kështu rrugë hetimit në themel të tragjedisë së Gërdecit. Çdo dështim i ardhshëm, tha Tahiri, apo hezitim për të vepruar nga Gjykata e Lartë apo Prokuroria e Përgjithshme, vlen të konsiderohet si bashkëfajësi për të fshehur drejtësinë e për të amnistuar Fatmir Mediun pas artificave ligjore tërësisht të kapërcyeshme. Sipas tij, askush nuk mund të paguhet nga taksat e qytetarëve për një detyrë që nuk e ushtron, apo akoma më keq që refuzon ta ushtrojë. Një vit më parë, nga tragjedia e Gërdecit mbetën të vdekur 26 persona, ndërkohë që u plagosën me qindra të tjerë. Pas kësaj tragjedie nisi hetimi për një sërë zyrtarësh të lartë, por megjithëse ka kaluar më shumë se një vit, ende nuk është zbardhur asgjë, duke u shtuar më shumë dhimbjen banorëve të prekur.

E.Gjura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›