Ish-drejtoresha e Tatimeve, e shkarkura e Berishës rikthehet në administratë
TIRANË- Rikthehet në administratë Gerta Picari. Ish-drejtoresha e Tatim-Taksave, e shkarkuar me urdhër të Kryeministrit për mosrealizim detyrash, i ka ngjitur sërish shkallët e hierarkisë së administratës shtetërore. Gjatë ditës së djeshme, Picari është emëruar si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, me firmën e parë të ministres së re, Anila Godo. Burime nga kjo ministri bëjnë me dije se Picari ka filluar dje punën, ndërkohë që ministrja Godo ka paralajmëruar një sërë lëvizjesh të tjera në këtë institucion.
Ish-drejtoresha e Tatim-Taksave ka qëndruar vetëm 6 muaj larg administratës shtetërore, për t’u rikthyer në një tjetër pozicion të rëndësishëm, në atë të Sekretares së Përgjithshme. Emërimi i zonjës Picari ka marrë dje firmën përfundimtare, ndërsa emri i saj përflitej prej ditësh nëpër korridoret e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky emërim është ndër lëvizjet e para që ka bërë ministrja Godo, pas largimit të menjëhershëm të ish-stafit politik të Ndokës. Fakti që Picari njihet si person i afërt i familjes Berisha duket se ka ndikuar në riemërimin e saj në një pozicion të rëndësishëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo e mori postin e kreut të Tatim-Taksave në muajin qershor të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Alfred Priftin, i cili aktualisht punon Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Zonja Gerta Picari ka kryer detyrën e Drejtores së Përgjithshme të Institutit të Statistikave (INSTAT), që prej janarit të vitit 2006. Ajo gjithashtu ka drejtuar Drejtorinë e Politikave Makroekonomike dhe Fiskale, në Ministrinë e Financave, si dhe ka kryer funksionin e Konsulentes Lokale, Ekonomiste Analiste pranë Bankës Botërore në Tiranë. Gerta Picari ishte diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Ekonomi si dhe ka kryer studime të nivelit Master në fushën ekonomike.
Motivacioni që shoqëroi shkarkimin e Picarit nga Tatimet, edhe pse jo-publik, ka qenë ai i nivelit të ulët të arkëtimeve, ndërsa ajo mbahet mend edhe për numrin e lartë të shkarkimeve ndaj punonjësve të Administratës Tatimore, ku një pjesë e mirë e tyre zotëronin Statusin e Nëpunësit Civil, duke i sjellë shtetit rreth 1,3 milionë dollarë dëme. ------------------------------------------------TIRANË- Që në ditën e parë të emërimit të saj, ministrja e re e Shëndetësisë, Anila Godo ka paralajmëruar reformë të thellë në dikasterin që ajo mori përsipër të drejtojë. Megjithëse është shprehur se në këtë institucion nuk do të kishte shkarkime politike, znj.Godo ka bërë me dije se shumë prej drejtorëve në Shëndetësi, ishin emëruar për shkak të përkatësisë partiake. Dhe lëvizjet kanë filluar. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se ministrja Godo ka shkarkuar nga detyre 3 drejtorë të rëndësishëm, përveç stafit politik, të cilëve që në ditët e para u ka kërkuar dorëheqjen. Mësohet se është shkarkuar nga detyra drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Aida Leonidhi, drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore, Edmond Stojku, si dhe drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë, Neriana Dosti. Sipas burimeve të mësipërme, shkarkimet janë njoftuar dje, ndërkohë që nga ky dikaster është larguar edhe stafi politik i ish -ministrit Ndoka. Bëhet e ditur se me vendim të ministres së re është shkarkuar shefja e kabinetit të Ministrisë, Erestina Halili, si dhe këshilltari Afrim Krasniqi. Ndërsa këshilltari tjetër i kësaj ministrie, Lazër Stani ka paraqitur dorëheqjen, e cila është firmosur dje nga ministrja Godo. E ndërsa shkarkimet në nivel të lartë të administratës së Shëndetësisë janë zyrtarizuar dje, në website-in e kësaj ministrie është harruar të pasqyrohet ndryshimi i ministrave, ku ende figuron si ministër i Shëndetësisë, Nard Ndoka.