E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kreu i Tatimeve, rikthehet në administratë

Ish-drejtoresha e Tatim-Taksave, Gerta Picari emërohet Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë

TIRANË- Rikthehet në administratë Gerta Picari. Ish-drejtoresha e Tatim-Taksave, e shkarkuar me urdhër të Kryeministrit për mosrealizim detyrash, i ka ngjitur sërish shkallët e hierarkisë së administratës shtetërore. Gjatë ditës së djeshme, Picari është emëruar si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, me firmën e parë të ministres së re, Anila Godo. Burime nga kjo ministri bëjnë me dije se Picari ka filluar dje punën, ndërkohë që ministrja Godo ka paralajmëruar një sërë lëvizjesh të tjera në këtë institucion.

Ish-drejtoresha e Tatim-Taksave ka qëndruar vetëm 6 muaj larg administratës shtetërore, për t’u rikthyer në një tjetër pozicion të rëndësishëm, në atë të Sekretares së Përgjithshme. Emërimi i zonjës Picari ka marrë dje firmën përfundimtare, ndërsa emri i saj përflitej prej ditësh nëpër korridoret e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky emërim është ndër lëvizjet e para që ka bërë ministrja Godo, pas largimit të menjëhershëm të ish-stafit politik të Ndokës. Fakti që Picari njihet si person i afërt i familjes Berisha duket se ka ndikuar në riemërimin e saj në një pozicion të rëndësishëm në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo e mori postin e kreut të Tatim-Taksave në muajin qershor të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Alfred Priftin, i cili aktualisht punon Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave. Zonja Gerta Picari ka kryer detyrën e Drejtores së Përgjithshme të Institutit të Statistikave (INSTAT), që prej janarit të vitit 2006. Ajo gjithashtu ka drejtuar Drejtorinë e Politikave Makroekonomike dhe Fiskale, në Ministrinë e Financave, si dhe ka kryer funksionin e Konsulentes Lokale, Ekonomiste Analiste pranë Bankës Botërore në Tiranë. Gerta Picari ishte diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Ekonomi si dhe ka kryer studime të nivelit Master në fushën ekonomike.

Motivacioni që shoqëroi shkarkimin e Picarit nga Tatimet, edhe pse jo-publik, ka qenë ai i nivelit të ulët të arkëtimeve, ndërsa ajo mbahet mend edhe për numrin e lartë të shkarkimeve ndaj punonjësve të Administratës Tatimore, ku një pjesë e mirë e tyre zotëronin Statusin e Nëpunësit Civil, duke i sjellë shtetit rreth 1,3 milionë dollarë dëme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›