E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-drejtori padi kundër "arrestit të shtëpisë"

 TIRANE - Shkëlzen Madani, i pandehur me një proces të hapur në Apelin e Tiranës për akuzën e "korrupsionit" dhe njëkohësit i pandehur në dosjen "Gërdeci" kërkon në gjykatë "çlirimin" nga arresti shtëpiak. Një kërkesë padi në emër të tij është regjistruar tre ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit. Kërkesë padia, që mban numrin 1898, ka si objekt "shuarjen e masës së sigurisë". "Pengimi në ushtrimin e të drejtës për t'u shprehur, grumbulluar apo manifestuar", klasifikohet lloji i çështjes së kërkesës së Madanit në Gjykatë. Pas depozitimit në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës, çështja është hedhur në short dhe si shqyrtues i saj në gjykatë është përzgjedhur gjyqtari Arjan Aliaj. Shkelzen Madani qëndron në masën e sigurisë "arrest shtëpie" në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë të datës 4 korrik 2008. Ky vendim i Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë prishi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit të Tiranës që kishin vendosur "arrest me burg" për Madanin dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest shtëpie".     ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›