Përplasje mes adoleshentësh pesë të plagosur në Tiranë
TIRANE - Policia e Tiranës pohoi dje se pesë të rinj u plagosën pas grindjeve me njëri-tjetrin për motive femrash dhe borxhesh. Ndërkohë janë arrestuar dy persona dhe janë shpallur në kërkim disa të tjerë, të dyshuar për kryerjen e këtyre krimeve. Ngjarja e parë ka ndodhur në Institutin Bujqësor në Kodër Kamëz, në banesën e familjes Kurti. Ermal Ceka dhe Shano Kamberi, mësohet se i kishin dhënë një sasi parash borxh dy vëllezërve Hasan e Pëllumb Kurti. Për këtë shkak ata kanë shkuar në banesën e familjes Kurti për të marrë paratë, por kanë nisur të grinden e përleshen duke qëlluar me grushte e thika dy vëllezërit. Ngjarja e dytë ka ndodhur dje pranë shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi", në Tiranë, ku dy të rinj janë plagosur të qëlluar me thika. Donald Mërtiri dhe Erald Hoxha, janë dërguar në spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve të marra në një grindje. Sipas mjekëve, i pari kishte katër plagë të rënda nga goditjet me thikë dhe i dyti dy plagë. Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 20-vjeçarin me iniciale K.K, të dyshuar për krimin me motive femrash ndërsa të dëmtuarit, sipas burimeve, ndodhen në spital në gjendje të rëndë. Po dje një i ri ka mbetur i plagosur në njërin nga autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio, kur disa bashkëmoshatarë e kanë rrahur në mënyrë brutale dhe janë larguar me vrap. Ende nuk dihet shkaku i ngjarjes së rëndë, ndërsa policia pohon se tashmë i ka identifikuar katër agresorët dhe i ka shpallur në kërkim. I plagosuri është dërguar në spital ku po merr ndihmë mjekësore. Burime spitalore pohojnë se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ka marrë plagë të shumta në kokë dhe trup. Po kështu burime spitalore pohojnë se edhe dy vëllezërit Kurti, të plagosur në Kamëz po marrin mjekime intensive në Spitalin Ushtarak. Për shkak të plagëve të shumta që morën gjatë përleshjes me dy borxhdhënësit vëllezërit Kurti janë plagosur disa herë, çka ka detyruar mjekët që të kryejnë operacione kirurgjikale. Policia konfirmoi dje se dy të dëmtuarit do të qëndronin edhe disa ditë në Spitalin Ushtarak, pasi mjekët kishin pohuar se gjendja e tyre shëndetësore ishte mjaft e rënduar në momentin e paraqitjes së spital. Nisur nga numri i madh i këtyre ngjarjeve policia pohoi dje se ka shtuar masat e sigurisë dhe patrullimet nëpër mjaft zona problematike. f.m.