“Pyetësori, të kontribuojë edhe opozita”
Zëvendëskryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, në konferencën e djeshme për shtyp i bëri thirrje opozitës t’i japë fund bojkotit parlamentar dhe të kontribuoi në procesin e integrimit evropian dhe të liberalizimit të vizave. “Në emër të LSI shpreh angazhimin maksimal të saj si forcë politike parlamentare, dhe te gjithë përfaqësuesve të saj në administratën shtetërore për plotësimin me sukses e në kohë të kësaj sfide të jashtëzakonshme, që tregon jo vetëm kapacitetet kombëtare për të vlerësuar stadin zhvillimor të sotëm, por edhe vizionin tonë për të ardhmen. Me ketë rast përshëndes zërat racionalë që vijnë nga opozita, akoma në rrugë, për t’u kthyer në parlament dhe për të kontribuar ne këtë proces dhe ushtruar përgjegjësitë për të cilat i votoi elektorati më 28 qershor”, tha Haxhinasto. Sipas tij, përgjegjësitë kombëtare ndaj integrimit nuk ushtrohen nga qoshet e konferencave të shtypit që përpiqen të nxijnë çdo realitetin, por me kontribute konkrete legjislative dhe me mbështetje e vullnet të qartë politik. Ai theksoi se liberalizimi i plotë i vizave do të konkretizohet në gjysmën e parë të 2010-tës.