Shteti ofendues dhe komunikimi i munguar politik
Salajdin SALIHU* Disidenti hungarez, Gjergj Konradi, në librin Antipolitika si sfidë na flet për njëfarë shteti ofendues, i cili, çuditërisht i përngjan paksa si shumë shtetit të quajtur Maqedoni. Shteti ofendues u kërkon shumë atyre që nuk obligohen t’i besojnë dhe është i përzemërt me ata që i përkulen autoritetit të tij. Shteti ofendues, me makinerinë e tmerrshme propaganduese, e deformon dhe e konstrukton realitetin, kurse qytetarët s’bëjnë tjetër veçse dashuri me halucinacionet e tij. Krijon një botë virtuale përballë një bote reale. Shteti ofendues gjithsecilin e fut në grackë dhe nga secili kërkon shërbime të veçanta: kërkon heshtjen e kundërshtarëve, falënderimet e lajkatarëve, shërbimet e hallexhinjve, të atyre që lakohen, të atyre që duan të pasurohen... Shtetit ofendues më shumë i pëlqen heshtja e një bretkose se sa fjala e një princeshe të bukur që dëshiron të çlirohet nga mallkimi. Shteti ofendues i lufton vlerat, i lartëson servilët që i përkulen çdo autoriteti politik, kurse tjetërsat (disidentët) i godet me vulën e tradhtisë. Shteti ofendues çmonton mekanizmat që duhet të ruajnë pavarësinë e mediave publike dhe i shndërron në mjete agresivë për të propaganduar të arriturat fiktive dhe për të linçuar kundërshtarët e tij. Shteti ofendues i kontrollon edhe mediat private, sepse ua blen hapësirat me reklama qeveritare. Shtetit ofendues nuk i intereson tirazhi apo ndikimi i medias, por gatishmëria për t’i shërbyer atij. Shërbimet e mira i shpërblen me reklama, kurse kritikat me dënime. Shteti ofendues lejon herë pas here që ta kritikojnë për gjëra të parëndësishme, sa për t’u thirrur në liri fjale dhe mendimi, teksa, paraprakisht, e ka paguar çmimin për t’i heshtur mediat përballë një skandali apo afere korrupsioni. Shteti ofendues kërkon një diskurs të thjeshtëzuar që nuk thotë asgjë. Kërkon gjuhë pa sensibilitet estetik, pra një NJUSPIK, një GJUHëRE, që si qëllim të vetëm ka automatizmin (Northop Frajt). Shteti ofendues nuk toleron “madhështi veçantie” (H.M. Encensbergeri), as honeps thelbin e demokracisë: secilit t’i jepet mundësia e të qenit disident. Shteti ofendues stimulon inteligjencën shtetërore dhe partiake, që s’është veçse shërbyesja e tiranisë, misioni i së cilës është prodhimi i “fakteve” për ekzistimin e një lirie atëherë kur mungon liria e vërtetë dhe ta detyrojë secilin që të mendojë sipas kufijve të paracaktuar.Shteti ofendues kërkon shkrimtarë dhe gazetarë të këqij që i shërbejnë tiranisë dhe njerëz që janë të gatshëm të vrasin në emër të tij. Shteti ofendues nuk do njerëz me botëshikim të hapur, por të mbyllur në vetvete, të cilët do t’u besojnë gënjeshtrave të reprodukuara nga makineria e tij. Shteti ofendues, i quajtur edhe shtet maqedonas, prodhon ketmanë, mendjerobëruar, mendjesuspenduar, mendjepastruar. Shteti ofendues dëshiron receptues të gënjeshtrës pa kurrfarë rezistence. Shteti ofendues, duke e kontrolluar çdo sferë të shoqërisë, prodhon hipokrizinë kolektive. I zgjuar është ai që di të bëjë mimika dhe përshtat ligjet e tij të brendshme me ligjet e shtetit. “Nëse me çdo kusht ec rrugës tënde, do të ndeshesh me automobilistin anglez, i cili edhe në kontinent nget makinën majtas, teksa tejkalon djathtas” (Konrad). Ata që duan të jenë të sinqertë me vetveten, që nuk pranojnë shërbimet e Hermesit, bëhen protagonistë të riaktualizimit të mitit mbi Prometheun. Shteti ofendues i godet dhe i mallkon të gjithë ata që e dinë: se pa liri mendimi e fjale nuk ka demokraci; se “pa lojërat e lirisë nuk ka art”; se liria është forca kryesore që e vë në lëvizje personalitetin njerëzor; se njeriu i lirë është i vetëdijshëm për lirinë e munguar; se vetëm duke u çmuar liria personale mund të respektohet liria e tjetrit; se liria është gjendje aktive që përjashton indiferencën dhe poshtërimin; se “liria është përgjegjësi, prandaj shumica i frikësohen” (Bernard Shou); se është çmendi jetën tënde ta lësh në dorë të politikanëve të papërgjegjshëm; se njeriu nuk është i obliguar t’i besojë çdo politike;Shteti ofendues nuk e duron individin: që nuk dëshiron të jetë zëdhënës i shumicës së kënaqur; që nuk e aprovon gënjeshtrën e thënë para syve; që dëshiron të jetë UNë karshi NE; që dëshiron të jetë qytetari përballë ushtarit; që është kundër fuqisë së madhe të përqendruar në duart e shtetit; që nuk beson se ka njeri të aftë që mund të vendosë për fatin e njerëzimit apo një populli; që është për evolucion dhe nuk i beson “filozofisë së barazisë”; që nuk honeps retorikën revolucionare, sepse revolucioni, sikurse thotë Berdjaevi, është braktisje e Zotit, armiqësi me shpirtin e lirë dhe mungesë gjenialiteti; që është kundër kontrollit të shtetit mbi kulturën, shkencën, arsimin, shoqërinë civile; që nuk honeps “çinovnikët” e emëruar “nga lart”; që beson se monopoli mbi pushtetin është më i rrezikshëm se sa monopoli mbi kapitalin; që e konsideron si mik çdo të dënuar politik dhe është kundër çdo urrejtjeje ndaj kundërshtarit politik; që është kundër elitave infantile politike, të cilat duke akuzuar dhe nxirë tjetrin duan të paraqiten si të virgjra; që është pro pluralizmit dhe dyshues i përhershëm; që nuk pranon të jetë objekt i veprimeve historike, por subjekt i fatit të tij; që di ta dallojë Njeriun e Fuqishëm dhe Njeriun e Madh; që kërkon vetëmbrojtje shoqërore dhe qytetare; që përkrah rezistencën e cila nuk përmban dhunë; që ka guxim të kundërshtojë burokracinë shtetërore, ushtarake dhe policore; që beson te kultura evropiane e cila s’do të gjejë paqe për sa kohë “shpirti i pluralizmit nuk do të shpërndahet në të gjithë vendet” (Konrad); që beson në demokraci - si mundësi që njeriu të shfrytëzojë arsyen e tij dhe si vetëmbrojtje civile nga funksionarët; që ka respekt për individin, mendimin e tij origjinal dhe për të drejtën e një jete private të padhunueshme; që beson në “vlerën e pakufishme të njeriut” (Ualter Stejs); që kërkon krijimin e një administrate civile, pluralizëm politik legjitim, mbrojtje të pakicës opozitare; që politikën e konsideron si “arritje e paqes ndërmjet njeriut dhe shoqërisë”, ashtu sikurse e koncepton Nikolla Tanze. Shtetit ofendues i duhen njerëz që: shtiren se gjoja nuk u intereson asgjë; që nuk përzihen në punën e “të mëdhenjve”, dhe gjithmonë u japin të drejtë bartësve të pushtetit; që kënaqen me bukën e përditshme të ndarë me doza, sa për mbijetesë; që me çdo kusht e mbrojnë lëkurën personale; që heshtin përballë një ekrani ku shumëfishohet gënjeshtra, mashtrimi...; që gjithnjë kujdesen mos digjen nga pakujdesia; që thonë atë që dëshiron ta dëgjojë prijësi. Shteti ofendues nuk dëshiron vetëdije plurale por totalitare mbi identitetin. E pengojnë identitetet partikulare dhe kolektive; i pengon laramania shumëkombëtare, shumëgjuhësore, shumëkulturore, shumëdimensionale; dëshiron popullatë njëgjuhësore; irritohet nga prania e gjuhës dhe kulturës “së huaj”; ndjen frikë nga forca e atij që flet gjuhë tjetër, prandaj e dëshiron asimilimin e tij. Shteti ofendues stimulon dominimin kulturor. “Tjetrit” e sheh si armik. Shteti ofendues është kundër vetëdijes qytetare (urbane). Sepse: vetëdija urbane është e hapur ndaj “tjetrit”; nuk e dëshiron gëlltitjen e tij; kënaqet me dallimet kulturore. Shteti ofendues kërkon përfaqësues “të tjetrit” vetëm sa për të mohuar akuzat se nuk respekton dallimet. Shteti ofendues i mundëson “tjetrit” të ketë dofarë institucionesh që do të udhëhiqen nga njerëzit e kontrolluar nga ai; pa qenë funksionale. Shteti ofendues shprehet kundër çdo lloj nacionalizmi dhe vetë udhëhiqet nga nacionalizmi institucional. Shteti ofendues i lejon “tjetrit” organizime tubimesh folklorike, që përfundojnë me eufori dhe harrohen shpejt, por nuk i lejon institucione stabile. Shteti ofendues i prodhon “tjetrit” patriotë dhe tradhtarë. Shteti ofendues nuk shqetësohet kur “tjetri” e formëson vetëdijen sipas një logjike tribale. Ai tmerrohet kur krijon një vetëdije institucionale. Shteti ofendues pengon “tjetrin” që të konsolidojë demokracinë brenda llojit të tij, sepse kështu e kontrollon më lehtë. I jep pushtet për ta sunduar vetveten. E stimulon për ta penguar autonominë e sferave. Sepse shteti ofendues nuk dëshiron pavarësi. Ai dëshiron të jetë i kudondodhur. Dhe asgjë mos t’i dalë jashtë kontrollit. Unë jetoj në një shtet ku nuk ka autonomi sferash; ku kultura, arsimi, shkenca, universiteti janë të ngulfatur nga politika. Jetoj në një shtet ku kritikuesit e qeverisë përballen me sanksione të ndryshme ose dëbohen në stilin e Sollzhenjicinit. Mendimi kritik nuk konceptohet ashtu sikurse e koncepton Vladimir Tismaneau kur thotë: “Falë intelektualëve, qytetarët e thjeshtë(...)artikulojnë idenë e së mirës publike dhe sugjerojnë shtigjet për ta përvetësuar atë. Disidenca është një ushtrim për zhvillimin e ndjenjës qytetare”. Jetoj në një shtet ku servisi publik, i quajtur shpesh servili publik, e quan kryeministrin “birin më të madh të kombit dhe vendit”, ku emetohen lajme të tipit: “së shpejti do të ndiqni xhirimet për tradhtinë e X”... Jetoj në një shtet ku kryeredaktorja e servisit publik udhëheq fushatat zgjedhore të partisë shqiptare në pushtet; ish zëvendës drejtori bëhet deputet, ish- kryeredaktori funksionar shtetëror. Jetoj në një shtet ku qeveria, si në Romën antike, çdo ditë organizon spektakle dhe çdo muaj shpall festa për ngjarje me të cilët do të tallej historia. Jetoj në një shtet ku ndodhin ndryshime të shpejta në kulturë, për të prodhuar një histori të munguar, e cila tentohet që të sajohet me shpejtësi marramendëse pa e marrë në konsideratë përmasën historike dhe mistike të komb formimit, as përmasën kulturore, brenda së cilës funksionojnë dy forca në dukje kundërshtuese, por në thelb komplementare: forcën konservatore që na lidh me të kaluarën, me urdhrat e të parëve dhe forcën krijuese që i shërben të sotmes dhe të ardhmes. Jetoj në një shtet ku qeveria dhe mediat e kontrolluara prej saj demosin po e fusin në konflikt me “armiqtë e brendshëm”, pra shqiptarët, të cilëve nuk u beson dhe me të “jashtmit”, për të cilët dyshon se i kanë përgatitur lloj-lloj komplotesh. Pra, jetoj në një shtet ku qeveria dhe mediat e kontrolluara prej saj, ashtu si dikur në Serbinë e Millosheviqit, popullit ia krijojnë ndjenjën e të qenit viktimë, që t’ia humbin ndjenjën për realitetin. Demosi futet në dimensione të mitit dhe, pasi miti nuk ka kujtesë të konsoliduar, manipulohet me lehtë. Jetoj në një shtet ku qeveria miraton fonde milionëshe, kurse media e duartroket vendimin për nisjen e furishme të gërmimeve arkeologjike me buldozerë. Ku çdo eksponat i gjetur shpallet si “fitore e madhe për historinë”, “si zbulim historik” që “dëshmon” lidhjen inekzistente ndërmjet maqedonasve të antikitetit dhe maqedonasve të aktualitetit. Jetoj në një shtet që ndan po aq mjete financiare për librat e shkrimtarëve shqiptarë, sa për rehabilitimin e një majmuni të depresionuar që e nisin me lot ndër sy në Holandën e largët.Jetoj në një shtet ku ekranet janë lodhur nga fytyrat e ish-ministrave, ish-deputetëve, ish-këshilltarëve të kryeministrave dhe presidentëve që media i shpall “analistë të pavarur” problemesh politike, kulturore, ekonomike, ekologjike, deri në marrjen e posteve të reja qeveritare. Këta analistë të përhënur ndërrojnë mendjen orë e çast dhe thonë atë që dëshiron ta dëgjojë prijësi. Jetoj në një shtet ku inteligjencia partiake dhe shtetërore e thotë në media atë që e kërkon prej tyre politika. Jetoj në një shtet ku në media ekzistojnë indekse emrash të personave të padëshirueshëm. Jetoj në një shtet ku gazetarët, që nuk ndjejnë obligim t’i besojnë politikës qeveritare, kërcënohen me likuidime fizike dhe rrezikojnë që të jenë si çuruvija, gazetari i vrarë nga regjimi i Millosheviqit, sikurse u shpreh gazetari i kërcënuar Branko Gerovski. I njëjti gazetar, paraprakisht, ishte sulmuar nga shërbyesit e tiranisë - kolegët e tij, që ia përmendën “dorën që do godas”, vetëm për shkak të qëndrimeve të tij më liberale, më proevropiane. Jetoj në një shtet ku një shërbyes tiranie, redaktor televizioni, dyshohet se ka bërë skenarin e rrahjes brutale të kolegut të tij. I njëjti shërbyes tiranie, që i ka kënduar himne Millosheviqit, tani është eminenca gri e kryeministrit. Jetoj në një shtet ku drejtuesit e institucioneve arsimore vazhdojnë me refrenin: “ashtu mendojnë ata lartë”, teksa këta janë zbatuesit e poshtëm të vendimeve. Jetoj në një shtet me mbi 2 milionë banorë dhe me mbi 450 mijë të papunë dhe sërish njerëzit dhe mediat flasin për një qeverisje të mirë. Jetoj në një shtet ku sa herë që shkruan ndonjë shkrim kundër qeverisë, veçanërisht partisë shqiptare në pushtet, të urojnë për “guximin” dhe të ngushëllojnë se “e ke më lehtë për shkak të mbrojtjes që gëzon”. Po kush të mbron? Cili engjëll ka vendosur të të bëhet truprojë? Ndoshta është ëngjëlli që e ftojmë për të na mbrojtur nga frika jonë? Një ëngjëll që nuk u vjen në ndihmë atyre që e mbrojnë lëkurën personale dhe kujdesen mos digjen nga pakujdesia. Jetoj në një shtet që më ofendon dhe kërkon që të jem lojal ndaj tij. Pasi që zgjedhjet janë të lira, njerëzit mund të zgjedhin fyerjet e tij, por shoqërinë e çojnë përpara ata që nuk i japin të drejtë shtetit atëherë kur fyen, kur e cenon lirinë, thjesht kur vret. *Shkrimtar, pedagog në Universitetin e Tetovës