E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobë pronarit të servisit dhe e plagosin

Dy persona kërkuan t'i merrnin një biznesmeni në Kavajë një shumë prej 1 milionë lekësh në formë gjobe


Policia arreston një nga personat e dyshuar prej saj ndërsa bashkëpunëtori shpallet në kërkim

KAVAJË- Një person u arrestua ndërsa një tjetër u shpall në kërkim nga policia e komisariatit të Kavajës, për gjobëvënie ndaj pronarit të një servisi dhe plagosjen e tij. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në këtë qytet, kur Gëzim Hyskaj, 36 vjeç, ka mbetur i plagosur lehtë me sende të forta nga dy persona. Sipas burimeve të policisë, i dëmtuari ka denoncuar se agresorët e tij, kanë qenë Altin Bakaj, 36 vjeç, nga Kavaja dhe një tjetër që sipas policisë është identifikuar të ketë qenë Ardian Tina, 32 vjeç, edhe ky gjithashtu banor i qytetit të Kavajës.Të dy këta persona, sipas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit, kanë takuar Hyskajn dhe i kanë kërkuar një shumë prej rreth 1 milion lekësh.

Këto para mësohet se dy të arrestuarit ia kishin kërkuar në mënyrë të përsëritur të dëmtuarit në formën e gjobës, shumën e mësipërme. Kjo me argumentin se vëllai i të arrestuarit kishte ndihmuar Hyskajn të hapte dhe të ndërtonte biznesin e servisit të tij në qytetin e Kavajës. Pikërisht për këtë qëllim, të dy personat janë takuar me Hyskajn në Kavajë dhe kanë kërkuar prej tij dhënien e shumës së mësipërme. Në të kundërt, i dëmtuari ka refuzuar sipas policisë dhënien e shumës së kërkuar nga dy personat me argumentin se ata po i kërkonin para në formën e gjobës dhe se nuk kishte asnjë lidhje me pretendimin që ata ngrinin.

Në debat e sipër personat sipas policisë kanë sulmuar biznensmenin 36- vjeçar me sende të forta, duke i shkaktuar atij plagë të rënda në kokë dhe gjithashtu në trup, por që sipas policisë nuk paraqisnin probleme serioze për jetën e të dëmtuarit. Pas veprimeve të tyre, personat janë larguar, pa mundur të marrin shumën e parave të kërkuar prej tyre.

Ndërkaq biznesmeni i plagosur ka mbërritur në spitalin e Kavajës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Policia e cila ishte njoftuar menjëherë për ngjarjen ka nisur veprimet e saj hetimore duke i marrë një deklarim të dëmtuarit, mbi rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin që kishte pasur me personat e dyshuar. Pas hetimit të kryer, policia ka zbuluar dhe arrestuar një nga të dyshuarit Bakaj, të cilin e kanë ndaluar, ndërsa bashkëpunëtori i dyshuar i tij Ardian Tina, është shpallur në kërkim nga blutë. Nga hetimi i kryer policia ka zbuluar se të dyshuarit i kishin kërkuar pronarit të një servisi një shumë parash që sipas saj kap shifrën e rreth një milion lekëve.

Kjo sasi sipas burimeve zyrtare të policisë është kërkuar të merret në formë gjobe. Bakajt, policia i ka komunikuar akuzën e shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie në bashkëpunim, si dhe plagosjes me sende forta e kryer gjithashtu në bashkëpunim. Bashkëpunëtori tjetër është kërkuar nga efektivët blu të Kavajës të cilët kanë kryer disa kontrolle banesash me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të kundraligjshme. Në banesën e Tinës dhe Bakajt, policia nuk ka gjetur sende të kundraligjshme ndërsa në cilësinë e provës materiale ka bllokuar disa sende të administruara prej ekspertëve në vendin ku kishte ndodhur ngjarja.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›