E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kampioni botës Maradona, teknik i Argjentinës

Nga Altin Latifi
Maradona do të jetë trajneri i ri i Argjentinës. Ai e merr këtë detyrë për herë të parë, duke fituar besimin e drejtuesve të Federatës. Maradona është legjenda e futbollit argjentinas dhe një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e këtij sporti. Ai do të drejtojë kombëtaren deri në Botërorin 2010. 

ARGJENTINE- Diego Armando Maradona do të jetë trajneri i ri i kombëtares së Argjentinës deri në Botërorin 2010. Pas largimit të Alfio Baziles, drejtuesit e Federatës ia kanë besuar legjendës së futbollit të tyre pankinën e ekipit përfaqësues. Pibe de Oro apo Djaloshi i Artë, siç e thërrasin të gjithë, do të festojë 48 vjetorin e tij ditën e enjte, e cila e gjen në një detyrë që nuk e kishte provuar më parë. Pas negociatash të shumta, presidenti i Federatës Hulio Grondona i ka besuar Maradonës kombëtaren e Argjentinës, duke besuar tek projekti i tij. Një vendim që shtypi argjentinas e ka quajtur lajmi i vitit. Ai ka qenë vetëm për dy periudha të shkurtra trajner, ndërsa konsiderohet si një prej lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit botëror. I lindur më 30 tetor 1960, ai ishte heroi i Argjentinës që fitoi kampionatin botëror në vitin 1986 dhe që shkoi deri në finale 4 vjet më vonë. Maradona ka luajtur në katër Kupa Bote dhe ndeshja e fundit ishte ajo ndaj Australisë në vitin 1994, kur shënoi një penallti. Karriera e Maradonës është nga më të pasurat dhe më të çuditshmet e një futbollisti. Ai shënoi një gol me dorë ndaj Anglisë në Botërorin e Meksikës, ndërsa në të njëjtën ndeshje realizoi golin më të bukur të historisë. Në fund, trofeu i Kupës së Botës i shkoi Argjentinës, që mundi në finale Gjermaninë. Maradona e nisi karrierën me Boka Xhuniors, për të kaluar më pas te Barcelona dhe në fund te Napoli, qytet ku ende vazhdon të konsiderohet një Zot. Ai e udhëhoqi skuadrën napoletane drejt titujve kampionë në Itali në vitin 1987 dhe 1990. Por, në 1991-shin ai u pezullua për herë të parë nga futbolli, për shkak të përdorimit të kokainës. Kthimi pas 15 muajsh, nuk ishte aq fatlum pas Diego u arrestua në Argjentinës dhe nisi trajtimin në spital. Këtu përfundoi edhe periudha me Napolin, për të kaluar më pas me Seviljen. Botërori i vitit 1994 ishte i fundit për të, ndërsa më pas do të niste një kalvar i gjatë në klinikat e ndryshme të intoksikimit. Një pjesë të mirë të kohës, legjenda e futbollit argjentinas e kaloi në Kubë, me një nga miqtë e tij më të mirë, liderin komunist Fidel Kastro. Kjo miqësi bëri që në Samitin në qytetin argjentinas të Mar de Platës, ta quante presidentin amerikan Bush, një plerë njerëzore. Për Pibe de Oro nuk kanë munguar as eksperiencat në emisionet televizive apo deklaratat bombastike të dhëna herë pas here. Maradona është pa më të voglin dyshim një nga yjet e futbollit botëror, por të gjithë dyshojnë në aftësitë e tij si trajner. Gjithsesi, publiku në Argjentinë është i gjithi me të. Mjafton të kujtojmë se në 30 tetor në kishën ku është pagëzuar Diego, festohen çdo vit Krishtlindjet e Maradonës. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›