E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriano, drejt Brazilit. Sulmuesi, sherr me Murinjon

Nga Altin Latifi
Pas përplasjes me teknikun Murinjo, Adriano duket sërish drejt largimit për në Brazil. Sulmuesi shkoi me vonesë në stërvitje dhe u dërgua në shtëpi nga trajneri portugez. 

Sherri me Murinjon ka bërë që Adriano të mendojë sërish për rikthimin në Brazil. Sulmuesi brazilian e gdhiu për një natë në diskotekë, ndërsa më pas u paraqit me vonesë në stërvitje, duke xhindosur teknikun portugez. Ky i fundit i tha të linte stërvitjen dhe të shkonte në shtëpi. “Me mua e ke mbyllur kapitullin për ca kohë”, i ka thënë portugezi. Ndërkohë, vetë Adriano ka shkuar në dhomat e zhveshjes dhe u ka bërë të ditur shokëve të tjerë të ekipit se ka ndërmend të rikthehet në Brazil. Ndërkohë vetë klubi i Interit ka mohuar që të ketë një çështje Adriano dhe se sulmuesi do të luftojë për të rifituar vendin në skuadër. Gjithsesi, duket një tjetër telash për brazilianin, që të njëjtin problem pati hasur edhe një vit më parë kur në krye të pankinës ishte Roberto Mançini. Atëherë ai u detyrua të shkonte për 6 muaj në huazim te San Paolo, për t’u ribashkuar sërish me Interin pas ardhjes së Murinjos. Ndërkohë një tjetër lojtar drejt largimit duket edhe argjentinasi Kruz, i cili e ka lënë jo pak të zhgënjyer Murinjon në ndeshjen me Xhenoan. (a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›