E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-kapiteni i Anglise Xhon Terri ne Euro 2012

Anglia nuk deshi të linte në shtëpi një luan të vërtetë, edhe pse bëhej fjalë për një të tillë plot me probleme. Xhon Terri, ish-kapiteni anglez, u grumbullua nga trajneri Roi Hoxhson në skuadrën që do të shkojë në Euro 2012, ndërsa mbrojtësi i Mançester Junajtid, Rio Ferdinand, nuk arriti dot të hynte në listë.
Ishte pikërisht Terri pikëpyetja më e madhe, ndërsa mbrojtësi i Çelsit u ndodh dhe vazhdon të jetë në qendër të një skandali për sjellje raciste ndaj mbrojtësit të QPR-së, Entoni Ferdinand. Menaxhimi i këtij skandali nga Federata Angleze solli edhe dorëheqjen e ish-trajnerit Fabio Kapelo, vetëm pak muaj para kampionatit europian.
Trajneri Hoxhson deklaroi se vendimet e tij për Terrin dhe Rio Ferdinandin ishin bazuar vetëm mbi arsye sportive, ndërsa çështja e shiritit të kapitenit u zgjidh duke ia dhënë atë kapitenit të Liverpulit, Stiven Xherrard.
Së fundi, Hoxhson mori në skuadër sulmuesin e Mançester Junajtid, Uejn Runi, dhe të riun premtues të Arsenalit, Aleks Okslejd-Çembërlen.
Anglia do të luajë Euro 2012, duke qenë në grup me Francën, Suedinë dhe Ukrainën, ndërsa do të synojë titullin e parë kontinental.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›