E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana beson se do te jete ajo fituesja e Kupes se Shqiperise

Tirana nuk e fitoi dot titullin kampion, veçse një betejë me Skënderbeun e ka fituar: Superkupën e Shqipërisë. Trajneri bardheblu, Hulian Rubio Sançez e mban mend mirë atë moment dhe beson se edhe këtë finale kupe skuadra e tij mund ta fitojë, pavarësisht se korçarët janë kampionët në fuqi, madje dy herë radhazi.
 “Ne do të luajmë në këtë finale, siç luhet një ndeshje e tillë. Të përgatitur, me synim për të fituar dhe me moralin më të lartë të mundshëm. Kjo nuk ka dyshim. Skënderbeu mendon se do të fitojë, por edhe ne duam të fitojmë dhe besoj se do të fitojmë”, u shpreh Rubio Sançez.
Pas një sezoni në krye të Tiranës, trajneri mendon se objektivi primar u realizua.
 “Unë mendoj se kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë dhe se objektivin tonë të parë e arritëm 3 muaj para se të përfundonte kampionati. Ky objektiv ishte kualifikimi për në kupat e Europës. Këtë, ne e bëmë. Mendoj se sezoni ynë meriton notën 8 e gjysmë, pra 8 deri në 9. Ndërkaq, e ardhmja ime tek Tirana nuk varet nga kjo kupë, siç nuk u ndikua nga fitorja e Superkupës”, shtoi ai.
Janë dy trajnerë të huaj që përballen në këtë finale kupe. Deri tani kanë të dy nga një fitore, kanë edhe një barazim. Në cilën anë do të anojë balanca e këtij sezoni?

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›