E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kinema "Dajti", pikëtakimi modern mes moshave

Ambient shumëngjyrësh, me hapësira për të lexuar, për t‘u takuar, për t‘u ulur, për t‘u dëgjuar, apo dhe thjesht vetëm për të qëndruar. Vendi i librave, por edhe pika e takimeve me autorët, ilustruesit, botuesit, hapësira, ku fëmijët dhe të rriturit mund t‘u drejtohen guidave, historisë, gjeografisë, letërsisë etj., për të zbuluar, për të njohur dhe për të zgjedhur... Është ky imazhi që përcjellin drejtuesit e Bashkisë së Tiranës gjatë prezantimit të projektit që do të tjetërsojë ish-kinema "Dajtin", tanimë në gjendje mjerane. Sipas përfaqësuesve të pushtetit lokal, kryeqytetas, kjo qendër e re multifunksionale që do të rindërtohet do të ofrojë një seri shërbimesh. Aty do të ketë një sallë kinemaje, sallë konferencash, ekspozita, atriumi i librit, salla e fëmijëve, studio e regjistrimit, laboratori i artit pamor, salla e muzikës, e kërcimit, salla e internetit etj. Objekti, i cili do t‘i nënshtrohet një rikonstruksioni tërësor, ndodhet në rrugën "Myslym Shyri" dhe bën pjesë në bllokun e banimit "50-vjetori". Kinema "Dajti" është ndërtuar rreth viteve ‘70 dhe ka qenë funksionale deri në fillimet e viteve ‘90. Me këtë projekt, ish-kinema "Dajti" do të transformohet në një qendër multifunksionale, duke iu përshtatur jo vetëm nevojave të komunitetit të zonës, por dhe të një pjese të aktiviteteve administrative të qytetit.

Ky rikonstruksion do të kryhet me fondin e bashkisë, që kap vlerën e 26 500 000 lekësh. Si një hapësirë ndryshe është menduar hapja e një librarie që u drejtohet fëmijëve, të rinjve dhe adoleshentëve, por edhe të rriturve e të gjithë atyre që kanë për zemër një kulturë të fëmijërisë. "Përdorimi i instrumenteve informatizues për të favorizuar shkëmbimin dhe kultivimin e njohurive të reja mbetet një nga sfidat e krijimit të këtyre qendrave multifunksionale", pohojnë drejtuesit e bashkisë. Lidhur me projektin e rikonstruksionit të kësaj kinemaje, dikur me emër në kryeqytet, kryebashkiaku Edi Rama tha se: "Transformimi rrënjësor i kësaj strukture të vjetër, në një qendër shumë funksionale për rininë, e cila do t‘u japë mundësinë të rejave e të rinjve të shoqërizohen në kushte standarde evropiane, është një hap shumë i rëndësishëm përpara, jo thjesht në mbajtjen e një premtimi të bërë rinisë kryeqytetase, por në krijimin e një shansi të ri, e një perspektive të re, e cila sot është e prekshme dhe shumë shpejt do të jetë e aksesueshme për të gjithë ata që do të duan të kalojnë së bashku orët e passhkollës, por edhe për të gjithë ata që pasi kanë mbaruar universitetin, do të duan të vazhdojnë të angazhohen në rrjete e komunikime rinore".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›