E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj: Do ndryshojë financimi i universiteteve publike

Universitetet publike në vend nuk do të financohen më si më parë. Pas miratimit të një projektligji të ri nga Kuvendi i Shqipërisë, ato do të duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin përmes projektesh, ku më i miri duhet të përfitojë edhe më shumë financime. Kjo është edhe formula e re financuese për 11 universitete publike në vend, sipas këshilltarit të Kryeministrit, Myqerem Tafaj.

"Në këtë mënyrë, buxheti nuk do të ndahet më sipas një ndarjeje aritmetike, ku merret në konsideratë vetëm numri i studentëve, por sipas kontributit të universitetit", u shpreh Tafaj, duke theksuar se synimi për këtë ndryshim mendohet se do të nxitë rritjen e cilësisë së arsimit të lartë.
Tafaj tha se në ligjin e arsimit të lartë parashikohet që ai institucion që paraqet projekte të mira, do të përfitojë fonde. "Është i njëjti parim si me pushtetin vendor, lidhur me grantet. Por parakushti është: struktura të afta të administratës në universitete që mundësojnë hartimin në kohë të projektit, marrjen e fondeve dhe realizimin e tyre sipas afateve", shpjegoi më tej këshilltari i Kryeministrit për arsimin. Sipas tij, buxheti vjetor për 11 universitetet publike në vend, nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të shpërndahet sipas një formule të re, e cila pritet të kalojë për miratim në Kuvend. "Bëhet fjalë për një formulë të krijuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me konsulencë të Bankës Botërore. Ajo bazohet në shumë parametra si në numrin e studentëve, kualifikimin e pedagogëve, zhvillimin e kërkimit shkencor, programet studimore", garantoi Tafaj.

Ai theksoi se formula e re e shpërndarjes së buxhetit vjetor të universiteteve do të bazohet vetëm në meritat e institucioneve të arsimit të lartë, e thënë ndryshe vitin që vjen universitetet do të konkurrojnë për investime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›