Ish krerët ilegalë rrëfehen para gazetarëve

Vendimi për ndërrimin e kryetarëve të katër komunave veriore është në kundërshtim me kushtetutën e Serbisë dhe për këtë s’ka ekzistuar asnjë arsye ligjore. Kështu kanë thënë ish kryetarët ilegalë të komunave veriore, gjatë një konference me gazetarë që u mbajt të mërkurën në Zveçan, transmeton RTK.
Ata theksuan edhe njëherë se qëndrimi tyre rreth marrëveshjes së Brukselit dhe zgjedhjeve të nëntorit është i pandryshueshëm, ndërsa shpërbërjen e kuvendeve komunale në veri nga ana e Beogradit e quajtën akt politik.
“Nuk duam të veprojmë kundër vullnetit të popullit tonë të dëshmuar në referendumin e vitit 2012”, ka thënë mes tjerash ish kryetari i Zveçanit, Dragisha Milloviq.
Ndryshe, Beogradi zyrtar para disa ditësh ka zëvendësuar ish kryetarët e katër komunave veriore për shkak të mos bindjeve të tyre, ndërkohë që në vend të tyre ka emëruar Kërstimir Pantiq (Mitrovicë), Stevan Vulloviq (Zubin Potok), Dragan Jabllanoviq (Leposaviq) dhe Ivan Teodosijeviq Zveçan. /Indeksonline/