Ish-kreu i Rrugëve, për herë të dytë nën akuzë
TIRANË- Task-Forca e luftës kundër krimit ekonomik dorëzoi pranë Gjykatës së Tiranës dosjen e dytë penale për ish-drejtorin e Rrugëve, Ilirjan Berzani dhe dy ish-vartësit e tij, Gentian Karuli dhe Mimoza Prushi. Tre të pandehurit kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, në lidhje me tenderin e zhvilluar pranë institucionit ku ata punonin për vendosjen e sinjalistikës rrugore në aksin rrugor Lushnje-Berat që kap vlerën e 60 milionë lekëve. “Nga hetimet disamujore të kryera nga prokurori Ardian Braho, ka rezultuar se ish-drejtori Ilirjan Berzani, duke shfrytëzuar postin e drejtuesit në këtë institucion ka ushtruar presion ndaj anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të tenderit për vendosjen e sinjalistikave rrugore, në aksin e rrugës Lushnje – Berat. Nga procedurat e tenderimit, fitues është shpallur një firmë e cila nuk kishte paguar 10 % e vlerës tek drejtuesit e këtij institucioni, çka ka bërë që Berzani të kërkojë nga anëtarët e komisionit rivlerësimin e këtij tenderimi”,-thuhet nga akuza. Pas ngritjes së grupit të rivlerësimit, me anë të një relacioni drejtuar anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ish-drejtori Berzani i kërkon vartësve të tyre që ta skualifikojnë firmën fituese për mungesë dokumentesh, duke ia dhënë tenderin firmës e cila kishte dalë e dyta në renditje. Sipas akuzës, provat materiale që janë administruar në dosje përveç shkresave dhe dokumentacioneve zyrtare të sekuestruara janë edhe disa CD me përgjime të numrave telefonikë dhe përgjimit ambiental, që provojnë se tre të pandehurit kanë kryer në bashkëpunim veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.