E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllon kirurgun me grushte dhe shkelma

Agustin Muçeku, 22 vjeç, ndodhej në ambientet e repartit të kardiologjisë të spitalit nr. 2 në qendrën spitalore Nënë Tereza, kur ka ushtruar dhunë për disa minuta mbi kirurgun. Burime jozyrtare thonë se shkak ishte mitmarrja, policia e mohon këtë variant, duke e cilësuar të riun si të paqëndrueshëm mendërisht

TIRANË - Vetëm pesë muaj pasi shefi i kardiokirurgjisë, Ali Refatllari, u godit me thikë nga një i afërm i një pacienti, një tjetër bluzë e bardhë bie pre e dhunës. 22-vjeçari Agustin Muçeku, lindur në Burrel e banues në Tiranë, rreth orës 16:00 të pasdites së të mërkurës ka goditur për disa minuta me grushte dhe shkelma mjekun e repartit të kirurgjisë në spitalin nr. 2 të qendrës spitalore “Nënë Tereza”, Ibrahim Brukën. Edhe pse burime zyrtare policore bëjnë të ditur se shkak i dhunës nuk ka qenë mitmarrja nga ana e mjekut, burime jozyrtare spitalore thanë për gazetën, se mjeku i dëmtuar kishte operuar një të afërm të djalit të ri dhe se kishte kërkuar para për operacionin. Por edhe pas operacionit duket se gjendja e tij ka qenë e rënduar dhe ka pak shpresa për jetën. I rënduar emocionalisht dhe psikologjikisht, Muçeku ka qenë në pritje të mjekut dhe sapo ky i fundit ka dalë në sallonin e repartit, ka nisur ta gjuajë atë në sy të njerëzve me grushte e shkelma.

Ngjarja

Rreth orës 16:00 të pasdites së të mërkurës, forcat policore të Komisariatit Nr. 4 kanë marrë një telefonatë për një sherr që po ndodhte në spitalin numër 2 në QSUT. Me të marrë njoftimin, në ambientet e spitalit kanë zbarkuar uniformat blu, që brenda pak minutash janë vënë në dijeni të situatës. Aty kanë kuptuar se nuk kishin të bënin me një sherr banal, por me një dhunë të mirëfilltë të ushtruar ndaj kirurgut. Me ngritjen e grupit hetimor dhe pasi i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore të dëmtuarit, agjentët kanë shoqëruar për në komisariat të riun, të cilit iu ngrit akuza e “goditjes për shkak të detyrës”.  

Varianti zyrtar

Burimet zyrtare bënë të ditur se i riu vuan nga probleme psikike dhe se mjeku nuk ka pasur lidhje me operimin apo mjekimin e të afërmit të Muçekut. Arsyeja për të cilën i arrestuari ndodhej në repart, ishte një i afërm që ishte operuar e që ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se nga ky shkak kishte ardhur edhe nga gjendja e rënduar psikologjike e të riut, i cili po sipas burimeve ka goditur bluzën e bardhë që i ka dalë përpara syve. Ndërkohë që po sipas burimeve jozyrtare pranë këtij spitali, mësohet se mjeku i ka kërkuar familjes së të riut afro 50 mijë lekë të reja për operacionin. Por edhe pse operacioni është kryer, gjendja e të sëmurit ka vazhduar të jetë e njëjtë dhe problematike si më parë. Në këto kushte, 22-vjeçari ka marrë përsipër zgjidhjen e situatës në mënyrë individuale e në momentin që ka parë në korridorin e spitalit Brukën, ka nisur ta qëllojë, derisa i kanë vënë prangat.
 

Plagosja e Refatllarit

Në 11 prill të këtij viti plagoset shefi i kardiokirurgjisë në QSUT, Ali Refatllari. Vdekja e pacientit Harbi Ahmeti, 68 vjeç, nuk u prit aspak mirë nga nipi i tij, Arben Strazimiri. Mitmarrja u bë shkak i plagosjes së mjekut, ndërkohë që agresori ra në pranga. Nga hetimet e asaj periudhe rezultoi se me marrjen e lekëve Refatllari kishte dhënë garancinë e tij për suksesin e operacionit, ndërkohë që Ahmeti është futur në sallë për operacion, por nuk ka dalë më i gjallë që atje. Vdekja ka acaruar tej mase nipin e të moshuarit, i cili është hakmarrë ndaj mjekut duke e qëlluar me thikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›