E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia II e Mediut: Takimi im me presidentin e SAC-it

Deputeti pa imunitet, Fatmir Mediu, ka qëndruar dje 3 orë të tjera në Prokurorinë e Përgjithshme, për tragjedinë e Gërdecit

TIRANË- Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, rrëfen para prokurorisë takimin e tij me presidentin kompanisë SAC, Patrick Henry, ndërsa vazhdon të mohojë takimin me Delijorgjin. Mediu është rikthyer dje në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë pjesën e dytë të dëshmisë së tij për procesin e demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, deputeti pa imunitet, Fatmir Mediu, ka pranuar para dy prokurorëve që janë pjesë e grupit hetimor për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, Kujtim Luli dhe Arqile Koça, se është takuar vetëm njëherë me presidentin e kompanisë amerikane SAC, Patrick Henry.

“Me presidentin e kompanisë SAC, Patrik Henri, jam takuar vetëm njëherë me ndërmjetësimin e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Takimi është bërë brenda ambienteve të ministrisë, ku presidenti i SAC-it, Henri, ka prezantuar projektin e demontimit të municioneve të lehta dhe prezantimin e makinerisë dhe punës sesi do kryhet ky demontim”,-mësohet të ketë thënë deputetit Mediu. Ndërkaq, ka mohuar në mënyrë kategorike se mes tij dhe presidentit të kompanisë SAC ka pasur ndonjë takim tjetër, ndërsa ka shtuar se kërkesat e tij i kanë mbërritur me fax. I pyetur nga prokurorët e çështjes për takimet e mundshme që ka pasur me presidentin e kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, deputeti Mediu ka mohuar të ketë bërë ndonjëherë takim me të. “Mihal Delijorgjin, jo që nuk e kam takuar ndonjëherë, por as që kam pasur informacione se ai apo kompania e tij është nënkontraktore e kompanisë amerikane SAC dhe punëtorët e tij po kryenin demontimin e municioneve. Për këtë fakt, nuk më ka njoftuar absolutisht Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, që e kishin për detyrë ta bënin”,-mësohet të ketë thënë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Sipas këtyre burimeve, nga organi i akuzës mësohet se në tre orët e seancës së dytë të marrjes në pyetje, deputeti Mediu ka dhënë shpjegime edhe në lidhje me takimet mes tij dhe njërit nga denoncuesit e tregtisë së armëve me Afganistanin, Kosta Trebicka. Sipas burimeve të prokurorisë, mësohet se Mediu ka pranuar takimin me Trebickën, duke shtuar se: “të gjitha shqetësimet që mi ka parashtruar shtetasi Kosta Trebicka i kam marrë seriozisht dhe jam munduar t’i verifikoj, por ndodhi ajo që ndodhi dhe nuk më doli koha”. Në vazhdim sipas prokurorisë, deputeti Mediu ka dhënë sqarime me ndihmën e mbrojtësit të tij ligjor, Ardian Visha, edhe për urdhrat për transportimin e municioneve nga Forcat Armatosura, kalimin e kompetencave të mbikëqyrjes së Gërdecit nga Shtabi i Përgjithshëm tek ndërmarrja MEICO, që sipas Mediut është e drejtë e titullarit për këto ndryshime, kalimin e ish-repartit të tankeve në Gërdec në administrim të ndërmarrjes MEICO, urdhrin që ndërmarrja MEICO të përgjigjet për zbatimin nga kontraktori të proceseve dhe standardeve të sigurisë, të masave të mbrojtjes nga zjarri dhe sigurisë së jetës e shëndetit të personelit.

TAKIMI ME HENRY

Me presidentin e kompanisë SAC, Patrik Henri, jam takuar vetëm njëherë me ndërmjetësimin e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari. Takimi është bërë brenda ambienteve të ministrisë, ku presidenti i SAC-it, Henri ka prezantuar projektin e demontimit

PËR DELIJORGJIN

Mihal Delijorgjin, jo që nuk e kam takuar ndonjëherë, por as që kam pasur informacione se ai apo kompania e tij është nënkontraktore e kompanisë amerikane SAC dhe punëtorët e tij po kryenin demontimin e municioneve.

TAKIMI ME TREBICKËN

Mediu ka pranuar takimin me Trebickën, duke shtuar se: “të gjitha shqetësimet që mi ka parashtruar shtetasi Kosta Trebicka i kam marrë seriozisht dhe jam munduar t’i verifikoj, por ndodhi ajo që ndodhi dhe nuk më doli koha

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›