E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kreu i Sindikatave, azilant në Francë, i shpëton urdhër-arrestit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 16-12-2011 11:33

Valer Xheka, i akuzuar për mashtrim, korrupsion e falsifikim dokumentesh në privatizimin e ish-shtypshkronjës “11 shkurti”, i shpëton përballjes me akuzat falë azilit të fituar në Francë. Historia e plotë e mashtrimit të ish-punonjësit të shtypshkronjës

Tiranë Ish-kreu i Bashkimit të Sindikatave, Valer Xheka, i vënë nën akuzë nga prokuroria për pastrim parash, nuk do të përballet me drejtësinë shqiptare edhe nëse provohet kryerja e këtij krimi. Që prej vitit 1997, Xheka ka përfituar azil në Francë, ku jeton bashkë me familjen e tij. Konfirmimi është dhënë për autoritetet shqiptare pas kërkesës për marrjen në pyetjet të 61-vjeçarit, i cili nga viti 1991 deri në vitin 1997 ka mbajtur detyrën e kreut të Bashkimit të Sindikatave. I akuzuar për përfitimin e qirave të pronave të sindikatës prej 15 vitesh, me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, Valer Xheka u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria. Megjithatë, urdhër-arresti ka pak gjasa të zbatohet për shkak të azilit që Valer Xheka ka fituar në Francë, ku jeton prej 15 vitesh. Sipas të dhënave të sistemit TIMS rezulton se 61-vjeçari ka ardhur disa herë në Shqipëri gjatë kësaj kohe, por hetimet ndaj tij dhe disa të afërmve të tij kanë nisur në maj të këtij viti. Shkak është bërë kallëzimi penal i Abdyl D., ish- pronar i shtypshkronjës “11 shkurti” në zonën e ‘Kodrës së Priftit’ në kryeqytet, i cili e ka privatizuar këtë ndërmarrje me firmën e Xhekës. Sipas kallëzimit të depozituar në polici rezulton se ish-punonjësi i kësaj shtypshkronje, Abdyl D. ka privatizuar godinën sipas rregullave në fuqi, duke paguar shumën e 150 mijë dollarëve. Pas formalizimit të dokumenteve të privatizimit në vitin 1996, Xheka asokohe kryetar i Bashkimit të Sindikatave, e ka vënë pronarin e ri të shtypshkronjës përballë një zgjedhjeje të vështirë. Sipas denoncimit, rezulton se Xheka i ka kërkuar atij shumën e 100 mijë dollarëve në formën e ryshfetit, pasi në rast të kundërt nuk do t’i jepte kontratën e qirasë së tokës ku ndodhej shtypshkronja, pasi kjo tokë është në pronësi të shtetit. Për të justifikuar shumën e parave, sipas hetimeve rezulton se Xheka ka iniciuar lidhjen e një kontrate huaje mes vjehrrit të tij dhe Abdyl D. Në kontratë parashikohej që Abdyl D. i merrte borxh Kleanthi Zotos, vjehrrit të Valer Xhekës, shumën prej 100 mijë dollarësh, të cilën duhet ta shlyente brenda 6 muajsh. Pasi ka dhënë pjesën më të madhe të parave të kërkuara nga Xheka në formë ryshfeti, por të formalizuar nëpërmjet një kontrate huaje, ish-kreu i Sindikatave sipas denoncimit e ka çuar çështjen në gjykatë, ku ka kërkuar marrjen e shtypshkronjës së privatizuar nga Abdyl D., me argumentin se nuk ka shlyer borxhin prej 100 mijë dollarësh që i kishte vjehrrit të tij. Pas ekzekutimit të vendimit të gjykatës nga Përmbarimi, shtypshkronja që ndodhet në një sipërfaqe prej 1800 m2 ka kaluar në emër të Kleanthi Zotos, i cili më pas e ka transferuar këtë pronë te Valer Xheka. Nga verifikimet që prokuroria ka kryer në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive ka rezultuar se prona në fjalë ishte në emër të ish-kreut të Sindikatave, Valer Xheka dhe për këtë arsye u vendos sekuestrimi i saj.

250

Mijë dollarë ka humbur ish-punonjësi i shtypshkronjës, Avdyl D. nga marrëveshja me ish-kreun e Sindikatave. Ky i fundit ka paguar 150 mijë USD për privatizimin e rregullt dhe 100 mijë ryshfet për Valer Xhekën

1800

Metra katrorët e ish-shtypshkronjës “11 shkurti”, të cilat kaluan në pronësinë e Xhekës, janë dhënë prej vitesh me qira, para të përfituara këto nga ish-kreu i Sindikatave. Prokuroria ka sekuestruar tashmë llogaritë bankare të Xhekës

Prokuroria sekuestroi llogaritë e Xhekës

Ish-shtypshkronja “11 shkurti” ka qenë në aktivitet për 15 vite me radhë, kohë në të cilën Xheka ka marrë të ardhura të konsiderueshme nga qiraja e pronës, e cila në fakt sipas prokurorisë është marrë në mënyrë të padrejtë nga ish-kreu i Bashkimit të Sindikatave. Për këtë arsye, të gjitha paratë e përfituara gjatë kësaj kohe nga qiraja e këtij objekti janë vënë nën sekuestro me vendim gjykate, deri në përfundim të hetimeve të nisura nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës. Burimet thonë se Valer Xheka dyshohet se ka konsumuar disa vepra penale, duke filluar nga korrupsioni e falsifikimi, por këto akuza janë parashkruar pasi ka kaluar një kohë e gjatë nga kryerja e tyre. Tashmë 61-vjeçari Xheka do të hetohet për pastrim parash, të cilat dyshohet se kanë ardhur si pasojë e veprimtarisë së jashtëligjshme të kryer nga Valer Xheka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›