Odiseja e kërpit të Shkrelit përplaset në Gjykatën e Lartë
Gjashtë vjet pas sorollatjeve në prokurori e gjykata, dosja me 53 të pandehurit nga Shkreli përfundon në Gjykatën e Lartë
Tiranë Historia e bujshme e kërpit në fshatin Shkrel të Shkodrës vazhdon të përplaset në dyert e gjykatave që prej vitit 2005, pa marrë ende një zgjidhje përfundimtare. Ditën e djeshme, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën për gjykimin e 53 të pandehurve të kësaj çështjeje, të cilët akuzohen për kultivimin e 1 toni kërp në fshatin Shkrel. Shkak i moskompetencës së krimeve të rënda është bërë një akuzë e re e prokurorisë ndaj banorëve të Shkrelit, të cilët tashmë akuzohen edhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Tashmë është Gjykata e Lartë që pritet të zgjidhë përfundimisht se cila prej gjykatave është kompetente për të gjykuar dosjen me 53 të pandehur, të gjithë banorë të një fshati, të cilët vazhdimisht kanë deklaruar se kanë kultivuar kërp e jo kanabis, sikurse akuzohen. Një vit më parë, edhe Gjykata e Shkodrës hoqi dorë nga gjykimi i çështjes, duke shpallur kështu moskompetencë. Pas këtij vendimi, dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila gjatë leximit të kërkesës për gjykim seancën e djeshme akuzoi 53 të pandehurit edhe për një tjetër vepër penale. Sipas përfaqësuesit të akuzës, të pandehurit akuzohen për pjesëmarrje në organizata të strukturuara kriminale. Menjëherë pas leximit të kërkesës kanë reaguar avokatët mbrojtës, të cilët kanë kërkuar nga prokuroria të kryejnë hetime të reja për këtë akuzë. Sipas mbrojtjes, në fillim dosja ka pasur vetëm akuzën e “kultivimit të bimëve narkotike”, për të cilën është kompetente Gjykata e Shkodrës. Avokatët kanë argumentuar se akuza e re e ngritur nga prokuroria, do të thotë kryerje të hetimeve të reja. Këto pretendime kanë detyruar Gjykatën e Krimeve të Rënda të shpallë moskompetencën për gjykimin e kësaj çështjeje dhe dërgimin e dosjes në Gjykatën e Lartë, e cila do të vendosë përfundimisht se në cilën gjykatë duhet të gjykohet dosja me 53 të pandehur. Çështja e Kërpit prej 6 vitesh endet në dyert e prokurorive dhe gjykatave, por pa marrë asnjëherë zgjidhje përfundimtare. Historia e bujshme e vitit 2005 mori përmasa edhe më të mëdha pas asaj që u konsiderua si dështimi i policisë. Analizat kimike të bimës që fillimisht u dyshua si kanabis-sativa, të kryera në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë dhe më pas në Angli, treguan se ka përqindje të lartë THC dhe për rrjedhojë ajo është lëndë narkotike. Por të pandehurit dhe avokatët e tyre kanë pretenduar se kjo lëndë nuk është kanabis, por kërp industrial i kultivuar me qëllim tregtimin e tij jashtë vendit. L.Bakillari