E Shtunë, 31 Tetor 2026

Violinisti shqiptar, Krishtlindje në Muzeun e Akropolit

ATHINE - Violinisti shqiptar, i emigruar që nga viti 1991 në Greqi, Alfred Shtuni do të jetë pjesë e grupit të solistëve që për tri ditë, më 22, 23 dhe 29 dhjetor do të performojnë në festën e Muzeut të Akropolit, në Athinë. 

Sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve, organizatorët thonë se nuk ka mënyrë më të bukur për të festuar, se sa të shijosh një muzikë të mrekullueshme e të provosh gostitjen e kërshëndellave në mjediset me pamjet e qytetërimit antik grek.

Të pranishmit do të kenë kënaqësinë të ndjekin ditën e parë në sallën e statujave antike, krijime të kompozitorit Mario Strofalis, që përbëjnë një udhëtim nostalgjik në viset kulturore të pupujve të Europës Jugore. Performojnë: Marios Strofalis (piano), Vangjelis Vergotis (fizarmonikë), Alfred Shtuni (violinë), Aleksandros Botinis (violinçelë).

Të premten, 23 dhjetor, në fuajenë e Muzeut, orkestra simfonike e bashkisë së Athinë, do të paraqesë fragmente nga opera "Karmen" e Bizesë (baritoni Nikos Karagjauris), opereta "Lakuriqi i natës" e Johan Shtrausit, (soprano Vasja Zaharopulu), "Kopshti magjik" dhe "Don Zhuani" nga Mozart dhe baleti "Arrëthyesi" i Çajkovskit. Dirigjent: Andrea Tselika.

Të enjten, 29 dhjetor, violinisti shqiptar do të jetë përsëri mes publikut, në përbërje të kuartetit Audio String, me muzikë klasike, romantike dhe neoromantike. Performojnë: Alfred Shtuni (violinë), Laertis Kokolanis (violinë), Jorgos Gaitanos (violë), Ria Anastasiu (çelo).

Restoranti i Muzeut do të jetë i hapur dhe do të ofrojë asortimente të ndryshme nga kuzhina greke, nën pamjen e Akropolit të ndriçuar.

(a.jo/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›