Ish kryeministri Berisha, mazhorancës: Po e futët kokën poshtë tavolinës për 100 ditëshin prisni të 40-at

Seanca maratonë në Kuvend në ditën e dytë, debate mazhorancë-opozitë
Deputeti Sali Berisha kërkoi shtyrjen e diskutimit për programin e ri qeverisës. Sipas tij, opozita është e gatshme të diskutojë për programin pasi qeveria e re të mbushë 100 ditë në detyrë. “Zoti kryetar këtu nuk po diskutohet as për një program as për ndonjë qeveri. Kurrë nuk ka ndodhur që një qeveri të shqyrtojë programin përpara 100 ditëve. Unë propozoj që qeveria të marrë kohë, të shtyjmë punimet pasi pa 100 ditë nuk ecet. Merrni kohën, dhe ne jemi të gatshëm të diskutojmë për programin pas 100 ditëshit. Por po e futët kokën poshtë tavolinës për 100 ditëshin prisni të 40-tat” tha Berisha.
Replika Berisha-Blushi
Veç diskutimeve të gjata mbi programin nuk kanë munguar dhe replikat mes ish kryeministri Berisha dhe deputetëve të mazhorancës. Më shumë tërhoqi vëmendjen ligjerata e deputetit Blushi dhe replika mes tij dhe Berishës. Blushi deklaroi në Kuvend se çelësi i suksesit të mazhorancës është fakti se ajo është bashkuar rreth idesë për një Shqipëri më të mirë, ndryshe nga opozita që sipas tij, është bashkuar rreth një njeriu. Duke i kërkuar qeverisë që të mos marrë më borxhe për të larë borxhet e vjetra, deputeti i PS theksoi se në parlament do të mbrojë të përbashkëtën nga e përveçmja dhe interesin publik mbi atë privat. “I kërkoj qeverisë të mos marrë më borxh në emrin tonë, jam kundër marrjes së borxheve duke larë borxhe. Besoj se Shqipëria mund të jetojë pa marrë borxh të ekzagjeruar. Qeveria duhet ti administrojë vetë pasuritë mbetura dhe deri diku të mjaftueshme. Për çfarë votuan shqiptarët në 23 qershor, unë besoj se ata votuan për tu mbrojtur, për të mbrojtur gjithçka që kanë nga privatizimi. Ne që fituam duhet ti mbrojmë pasuritë e tyre. Deri tani kemi mundur vetëm PD-në, por nuk kemi fituar mbi varfërinë, pabarazinë. Koha që kemi përpara është e mjaftueshme për të qeverisur, por jo për të fituar”- vlerësoi Blushi. Këtij qëndrimi i erdhi dhe një përgjigje e ish kryeministrit Berisha, i cili theksoi se asnjë demokrat nuk është i mundur. “Të kërkosh sinqeritet tek Blushi është njëlloj si të kërkosh rrethin në katror. As Sali Berisha dhe asnjëri prej tyre harroje ti se është i mundur, jemi të pamposhtur. Këto janë premtime të cilat duhet ti realizoni, pse, ju e çoni çështjen më në themel, themeli i të gjitha themeleve është dinjiteti njerëzor. Ju morët besimin e qytetarëve shqiptarë me këto premtime. Unë do ti votoj nëse i bini këtu, nëse nuk i sillni do ketë betejë më të vendosur në 20 vite për dinjitetin e shqiptarëve”, tha Berisha. Por fjala e Berishës pati pas dhe një tjetër deklaratë të shkurtër të Blushit. “S’e kuptova pse dole këtu. Ti je njeri që lexon, por dua të të them diçka që s’e ke lexuar; Kur Don Kishoti fillojë të lexojë, u bë “xhentleman”, kur filloi të besonte ato që lexonte, u bë qesharak. Unë kam një këshillë për ty, mos i beso të gjitha ato që lexon, qoftë edhe nga programi i qeverisë”, deklaroi Blushi.
Paloka-Blushit: Nuk u bëre ministër se nuk i bëje dot detyrat e Ramës
Kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka në fjalën e tij nga foltorja e parlamentit pak para kalimit në votim të programit qeverisës akuzoi kryeministrin e dekretuar si njeri agresiv që keqpërdor ministrat. “Ne nuk kemi një qeveri. Kemi një njeri që i pëlqen të quhet koka se PS, i cili e ka gjetur kokën se dje ishte i shqetësuar. Njërit nga qoshja i bërtet i thotë pse qeshe, pastaj i bërtet i thotë pse nuk qeshe. Ministrat i përdor për të dërguar letrat, apo shishe uji. Ti Blush nuk pse mërzitesh që nuk u bërë ministër në këtë qeveri se nuk do ishe gati t’i bëje këto detyra”.
Arben Imami: Na thoni cilat janë reformat, kur dhe si do të realizohen
Deputeti i Partisë Demokratike Arben Imami ka kërkuar një program më te detajuar të qeverisë së re ku kjo e fundit të paraqesë edhe reformat që do të realizohen gjatë 4 viteve të qeverisjes së majtë. “Na thoni cilat janë reformat, kur dhe si do të realizohen. Duam të dimë se kur do të realizohen premtimet tuaja. E dimë se nuk do të ketë taksim të drejtpërdrejtë shëndetësor, por do të merret indirekt, në thelb e gjithë pesha do të bierë në kurriz të qytetarëve. Si do të rrisë kjo metodë integritetin e profesionistëve të shëndetësisë”, deklaroi Imami.
Eduart Selami: Premtimet s’përputhen me programin
Ndërsa deputeti Eduard Selami deklaroi se ka mospërputhje mes premtimeve elektorale të Partisë Socialiste dhe programit të qeverisë së re. “Më vjen mirë që kryeministri i ri mban shënime. Ka disa premtime të fushatës që nuk janë në program. Në fushatë u premtua përgjysmimi i TVSH ndërsa në program nuk flitet më për përgjysmin por vetëm për reduktim. Në program nuk gjendet një detajim për taksën progresive ku u prekën shtresat e rëndësishme sociale siç janë edhe arsimtarët”- theksoi Selami. Ai ka theksuar më tej se është pozitiv fakti që në qeverinë e re ka gra por sipas tij mbetet shqetësues fakti i rritjes së qeverisë me 30 përqind. “Është pozitiv fakti që marrin pjesë gra në qeverinë e re, por edhe moshë e re. Por është nënvlerësuar eksperienca. Shqetësimi im lidhet me masën e rritjes së qeverisë, mbi 30%. Pasi Shqipëria është në atë gjendje që është, edhe pse i ka shpëtuar recesionit. Programi i ri nuk është i qartë. Nuk ka asnjë referencë në vlerë monetare. Është shumë i varfër në shifra dhe kjo është shqetësuese”, u shpreh Selami.
Genc Ruli: Ky nuk është program, nuk paraqet realitetin
Në fjalën e tij, deputeti i PD-së Genc Ruli ka deklaruar se programi i cili është prezantuar në Parlament nga mazhoranca e majtë nuk është gjë tjetër përveçse një manifest që nuk paraqet realitetin. Sipas është një program i mirëfilltë pasi në të nuk përmenden shifra dhe nuk thuhet se ku do të gjenden fondet e nevojshme për ta realizuar atë. “Në asnjë pjesë të programit nuk gjen ndonjë argument konkret, se ku dhe si do të gjenden fondet ekstralarge për të realizuar ato që premtohen. Programi është lajthitje, qeveria nuk njeh realitetin, mohon çdo arritje. Ajo që ne dhe shqiptarët kërkojmë sot nga kjo qeveri është çfarë do bëhet brenda katër vitesh”- u shpreh Ruli.
...