Bundestagu gjerman: Pushimet nga puna të administratës të papranueshme, rrezikojnë statusin
Pushimet nga puna në radhët e administratës shqiptare për arsye politike janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin gjatë ndërrimit të qeverive. Këtë theksuan burime zyrtare konfidenciale të Bundestagut gjerman. “Në politikën shqiptare pati ndryshime, u ndërruan qeveritë. Shumë njerëz u pushuan nga puna për shkak të bindjeve politike dhe kjo është e papranueshme”, bëri të ditur një zyrtar i Bundestag duke shtuar se me këto hapa, Shqipëria riskon marrjen e statusit si vend kandidat për integrimin në Bashkimin Europian.
“Është e patolerueshme që njerëz për të cilët janë derdhur fonde nga BE, për trajnimin, edukimin e tyre të largohen nga administrata. Kjo ndodh sa herë që në Shqipëri ndërrohen qeveritë, largohen njerëzit nga puna. Kjo po ndodh dhe tani, duket sikur ne kthehemi dhe njëherë nga fillimi. Kjo riskon marrjen e statusit në muajin tetor për Shqipërinë”, thekson burimi nga Bundestag.
Mesazhi nga Bundestag vjen në një çast kritik kur Shqipëria ndodhet në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për integrimin në Bashkimin Europian.