Ish kryetari i PD-së, Basha: DASH konfirmoi akuzat e PD-së, për qeverisjen e korruptuar të Ramës

Ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka komentuar raportin më të fundit të DASH për Shqipërinë. Sipas tij, SHBA, edhe në këtë raport, konfirmoi shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike për korrupsionin, masakrën zgjedhore, veshjen me pushtet të kriminelëve, presionin ndaj medias etj.
Ish kreu i PD-së, nënvizon se në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut nënvizohet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes së Edi Ramës.
“Ashtu si në rastin e kanabizimit të vendit, apo në rastin e fundit të inceneratorëve Edi Rama është kthyer në mburoj të ministrave të korruptuar duke penguar drejtësinë të veprojë ndaj zyrtarëve të lartë. Raporti ka vërtetuar edhe shqetësimin e PD për përdorimin politik të policisë dhe shpesh herë kthimin e saj në shërbim të personave të inkriminuar. E ndërkohë që dosjet për masakrën zgjedhore presin një vendimmarrje nga organet e drejtësisë, DASH risjell në vëmendje problematikën e blerjes së votave, rrjedhjen e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe përdorimin e tyre për arsye elektorale si dhe përdorimin e fondeve publike në funksion të përfitimit elektoral. Ky raport duhet të jetë kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë e veçanërisht Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, të cilat janë krijuar për të vënë para drejtësisë të paprekshmit, zyrtarët e lartë të korruptuar, ata që kanë tjetërsuar me forma dhe mënyra të ndryshme vullnetin e shqiptarëve për ndryshim e për t’u kthyer atyre besimin tek drejtësia. Pa u vënë para ligjit ata që deformuan vullnetin e zgjedhësve dhe kokat e korrupsionit, Shqipëria s’do të ketë as progres e as zhvillim ekonomik”, shkruan Basha.