Përfundon mbledhja maratonë e grupit parlamentarë të PD-së, palët ende larg konsensusit

Vetëm pak çaste më parë është mbyllur mbledhja maratonë e grupit parlamentarë të PD-së, ku më së shumti kanë dominuar akuzat dhe kundërakuzat, në lidhje me qëndrimin ndaj SHBA-së, shpalljes “non grata” të Berishës, si dhe kërkesa e Rithemelimit për dorëheqjen e Alibeajt, si kryetar i grupit parlamentarë.
Por, sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Enklejed Alibeaj, nesër, secili deputet, pas kësaj mbledhje të gjatë, mund të shpalosë propozimin e vet për zgjidhjen e krizës dhe bashkimin e demokratëve.
Alibeaj tha se shumica e deputetëve janë për bashkimin e demokratëve, duke stopuar procesin e njëanshëm të zgjedhjeve nga Berisha, si dhe riorganizimin e përbashkët pa përjashtime të PD-së.
“Konstatuan në mënyrë të qartë disa gjëra të thjeshta që shkojnë drejt asaj që është lëvizja për të arritur tek bashkimi. Një proces i njëanshëm nuk të çon në bashkim. Konstatimi i dytë, në shumicën dërrmuese, është që bashkimi i demokratëve duhet të realizohet në bazë të një procesi organizimi të përbashkët dhe të mos ketë përjashtime. Votimi të filloj nga degët, që struktura e PD-së të jetë e plotë. Kjo u tha në shumicë dërrmuese disa herë nga deputetët, të cilët e ofruan këtë si një zgjidhje. Të gjithë deputetët dhanë zgjidhje që synonin këtë gjë. E lamë që nesër secili deputet, pas kësaj mbledhje të gjatë, të mund të shpalosë propozimin e vet. Ishte një propozim i deputetit Gështenja, i cili edhe e sqaroi, që të stopohet procesi që po bëhet tani dhe të rifillojë një proces i përbashkët me garanci. Duhet të krijojmë një bazë të gjerë e solide, ku të fillojë procesi i riorganizimit. Nuk duhet të bëjmë procese të shpejta, por procese që të japin sinjale të forta bashkimi. Është një propozim i bashkëndarë nga shumica dërrmuese, secili nga deputetët duhet të ketë të drejtën që ta konsultojë. E para çfarë është bërë deri tani është e njëanshme, dhe e padobishme për PD-në. Një proces i përbashkët i certifikuar me garanci zgjedhjesh.’- tha Alibeaj.