Ish-mbështetës të PD-së i bashkohen Rilindjes: Berisha na tradhëtoi
Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste ka organizuiar sot një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike të cilët i janë bashkuar forcës së majtë opozitare.
Gjatë këtij takimi në Kamzë me një grup ish-drejtuesish dhe ish-anëtarësh të PD-së, kryefjala e tyre për të arsyetuar largimin nga rradhët e PD-së ka qenë sipas tyre tradhëtia që u është bërë nga kjo parti.
Jam këtu për të deklaruar shkëputjen përfundimtare nga Partia Demokratike. Idealet e mia për të cilat vuajtën, u persekutuan dhe u masakruan të parët e mi, janë nëpërkëmbur keq nga administrata e korruptuar e instaluar në qeverisjen e PD-së, ka thënë Arjan Zefi, nënkryetar i kësaj partie për Kamzën.
Rahman Sokoli, me profesion inxhinier, ka thënë: Nuk jemi ne që kemi tradhtuar PD-në, nuk jemi ne që kemi tradhtuar Sali Berishën, janë ata që na kanë tradhtuar ne. Ata duhet të ndihen fajtorë për këtë dhe nuk është aspak faji jonë për këtë. Ndaj nuk duhet të ndiejmë asnjë pendim që në 23 qershor do të votojmë të ardhmen, do të votojmë Rilindjen, do të votojmë Edi Ramën.
Halim Kuçi, një tjetër përfaqësues i shtresës së të përndjekurve politikë, po ashtu, ka shprehur: Kam 22 vjet që aderoj në Partinë Demokratike dhe jam demokrat i flaktë. Por ka 8 vjet që Sali Berisha po na zhgënjen. Besoj se Kamza duhet ta kuptojë shumë mirë se ku na ka çuar Berisha me gjithë këto ndërtime pa legalizuar, pa bërë asnjë gjë, pa kanalizime, pa urbanizim dhe vetëm duke vjedhur çdo ditë, ka thënë ai.
Në fjalën e tij, kryetari Rama është angazhuar se vota e 23 qershorit do të jetë një votë për tu dhënë mundësi të gjitha familjeve që jetojnë në shtëpi të ndërtuara me gjakun dhe sakrificat e tyre dhe që sot e gjithë ditën nuk i gëzojnë dot si pronë të tyre, që nën kujdesin e qeverisë tonë dhe nën kujdesin tim personal të marrin atë që për 20 vjet nuk e kanë marrë dot: Legalizimin e shtëpive të tyre. Por jo vetëm legalizimin, por edhe një transformim që ti kthejë këto zona në pjesë të integruara të qytetit,- është shprehur Rama.