PS: Jeta është e pasigurtë. PD: Rama e shokët e tij kanë ide dështake
Tiranë- Në vijim të fushatës së “100 asrye për të mos votuar Berishën, Partia Socialiste ka akuzuar sot Partinë Demokratike për pasigurinë e e jetës sipas saj që është kthyer në makth për shqiptarët.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni, tha se dhuna ndaj grave dhe vajzave, krimi në familje ka pësuar rritje të frikëshme në këto vitet e fundit.
“Makabriteti i rasteve që na paraqet kronika e zezë janë dëshmi e varfërisë dhe dëshpërimit social por dhe e pasigurisë për jetën që është kthyer në makth për shqiptarët. Gratë dhe vajzat shqiptare janë ende më të kërcënuara, jo vetëm nga përjashtimi social, por dhe nga pasiguria për shkak të statusit që kanë në familje dhe shoqërinë shqiptare. Ky është një tjetër dështim dhe një arsye që shqiptarët të mos votojnë Sali Berishën në 23 qershor. Qeveria u angazhua për të ngritur mekanizmin kombëtar të referimit për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare por ligji nuk është zbatuar, ashtu si edhe i gjithë legjislacioni në mbrojtje të gruas. Gjashtë vjet pas daljes së Ligjit mbi mbrojtjen ligjore falas, grave dhe vajzave u është mohuar kjo e drejtë,- deklaroi Gjermeni.
Gjermeni tha se PS-ja nëpërmjet programit të Rilindjes përmes politikave të luftës kundër varfërisë, punësimit, shërbimeve sociale në komunitet, bashkëpunimi me institucione do të synojë respektimin e të drejtave të grave dhe të vajzave dhe krijimin e hapësirave të përfaqësimit të tyre.
PD: Rama dhe shokët e tij humbës kanë ide dështake
Ndërsa Partia Dmokratike nëpërmjet deklaratës së deputetit të saj Gert Bogdani tha se javën e kaluar, Rama telefonoi e solli në Tiranë “shokët e tij humbës të Internacionales Socialiste, që kanë të njëjtin fat si ai, në një përpjekje te dëshpëruar për te shuar rebelimin që ka nisur ne partinë e tij dhe përpjekjen për të ardhur në pushtet me çdo kusht’.
“Dihen botërisht arsyet pse Rama dhe shokët e tij janë humbës. Sepse ata kanë të njëjtat ide dështake të së shkuarës, si rritja e taksave, pengimi i biznesit, rritja e papunësisë.Humbësit që Rama ftoi janë braktisur nga qytetaret e tyre sepse ata kane refuzuar me kohë këto ide të rrezikshme, bashkë me ideatorët e tyre.
Ai i ftoi këto ditë për ta shpëtuar nga rebelimi i njerëzve të tij që deklarojnë se duan të shpëtojnë nga Rama, por nuk po e heqin dot dhe mezi presin 23 qershorin t’i japin duart. Edi Rama ka një zakon të vjetër; ai merr këshilla vetëm nga humbësit, lista e të cilëve është shumë e gjatë. Ndaj nuk është çudi që këshillat e tij tani të vijnë edhe nga Kuba apo Venezuela”, tha Bogdani.