E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria rrëzon kërkesën e gruas së Dajtit për avokat

Arben Qeleshi është legjitimuar si mbrojtës ligjor i Ergest Xhoxhit, ndaj s'mund të mbrojë edhe Dajtin

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet refuzon emërimin e Arben Qeleshit si mbrojtës ligjor të Dritan Dajtit dhe kunatit të tij Ergest Xhoxhi. Ky lajm konfirmohet nga zyrtarët e institucionit të akuzës, të cilët shtuan se Qeleshi nuk mund të jetë përfaqësues ligjor i të dy të arrestuarve, por vetëm i njërit. Sipas tyre, kërkesa e dorëzuar pak ditë më parë nga bashkëshortja e Dajtit, do të shqyrtohet sot dhe do t'i kthehet përgjigje negative, duke mos e legjitimuar Qeleshin si mbrojtës të të dy të arrestuarve. Shkak për këtë refuzim, sipas organit të akuzës, është papajtueshmëria e interesave të të arrestuarve.

Dajti është kunati i Xhoxhit dhe ky i fundit paraprakisht ka rrëfyer të gjitha lëvizjet e tyre gjatë 7 gushtit, por në fund të dëshmisë nuk ka preferuar të firmosë procesverbalin e deklarimit, edhe pse ishte shprehur se agjentët në momentin e ndërhyrjes u identifikuan si "policë". Ky deklarim pritet të merret sërish, por nëse Dajti dhe kunati i tij do të kenë të njëjtin mbrojtës, atëherë mund të ndodhë fare mirë që edhe Xhoxhi ta përkrahë duke pretenduar se në momentet e ngjarjes kishin dyshuar që agjentët e policisë ishin grabitës. Mospranimin institucioni i akuzës e mbështet në nenin 54 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se "mbrojtja e disa të pandehurve mund të merret përsipër nga një mbrojtës i përbashkët, me kusht që midis të pandehurve të mos ketë papajtueshmëri interesash. Organi procedues kur konstaton papajtueshmërinë e interesave të të pandehurve e deklaron atë me vendim dhe bën zëvendësimet e nevojshme". Kështu që me mospranimin e avokatit Qeleshi si mbrojtës i të dy të arrestuarve, prokuroria pritet t'i refuzojë këtij të fundit edhe lejen për ta takuar Dajtin në ambientet e Spitalit të Burgut dhe të drejtën për ta mbrojtur, pasi avokati Qeleshi tashmë është legjitimuar dhe pranuar si avokat i të pandehurit Ergest Xhoxhi.

Ndërkohë, avokati ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, e cila me datë 10 gusht me kërkesë të prokurorisë vendosi që i arrestuari Xhoxhi të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Tashmë pritet që në Gjykatën e Apelit të caktohet treshja gjykuese. Sipas mbrojtjes, Xhoxhi duhet të lirohet pasi vepra penale për të cilën akuzohet, "përkrahje të autorit në krim", nuk është kompetencë e Gjykatës për Krime të Rënda. Ndërkaq, burimet pranë grupit hetimor nënvizuan se ky pretendim është i pabazuar në ligj, pasi Ergest Xhoxhi është në të njëjtin procedim penal, i lidhur me Dritan Dajtin.

Gjithashtu është konfirmuar edhe rrëzimi i kërkesës së avokatit për ta vizituar Dajtin në një institucion më të specializuar të ndërhyrjeve kirurgjikale në shtyllën kurrizore ku ka njërin nga tre plumbat që është qëlluar nga agjentët e policisë në momentin e arrestimit të tij. Pas këtij refuzimi pritet që familjarët e Dajtit të caktojnë një avokat tjetër për të mbrojtur interesat e të afërmit të tyre, i cili po mjekon plagët e marra në operacionin e policisë më 7 gusht, ku vrau katër agjentë të policisë, shokun që e shoqëronte, Ledion Mara, si dhe plagosi një kalimtar të rastit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›