Ish-numri 1 i FIA-s shprehet i bindur se presidenti aktual do ta kundërshtojë ardhjen e menaxherit
Zhan Todt nuk do ta lejojë Flavio Briatoren që të kthehet në Formula 1, pavarësisht se Gjykata e Lartë franceze anuloi përjashtimin e përjetshëm të ish-menaxherit të Renaultit pas skandalit “crashgate” në 2008-n në Singapor. Ish-numri 1 i FIA-s, Maks Mosli, shprehet i bindur për këtë gjatë një interviste të dhënë për britaniken “Times”. Sipas Moslit, Todt, i cili e zëvendësoi në krye të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, nuk do ta heqë skualifikimin për italianin, pasi “është e palogjikshme që përpara situatave të tilla të themi ‘në rregull, nuk ka asnjë problem’. Kjo do të sillte fundin e besueshmërisë për sportin e Formula 1”. Ai u shpreh i bindur se përjashtimi i dhënë nga këshilli botëror në shtator të vitit të kaluar, do të mbetet në fuqi. “Nëse nuk do të jemi në gjendje të ndëshkojmë ngjarje si ato që shkaktuan Briatore dhe Sajmonds, atëherë funksionimi i FIA-s vihet në dyshim”, shtoi Mosli. Të shkaktosh me dashje një aksident “rrezikon sigurinë, shkatërron konkurrencën sportive dhe thyen të gjitha shtyllat mbi të cilat bazohet ky sport”. Në një tjetër intervistë për mediat angleze, Mosli ka shprehur dyshime për deklaratat e Briatores, i cili ka thënë se do të hapë padi penale ndaj dy Pikeve: “Mendoj se këto fjalë ai i ka thënë vetëm për t’u mburrur përpara mediave italiane, shtoi ish-presidenti. Nëse do të kishte bërë padi, ai rrezikonte të dilte gënjeshtar, pasi ka akuzuar ish-pilotin Pike dhe babanë e tij se i kanë bërë shantazh dhe kërkuan t’i zhvatnin para. Duhet të theksoj se gjykatësi nuk u shpreh se Briatore s’ishte fajtor, ai vetëm kundërshtoi procedurat e përdorura nga FIA”.