E Diel, 1 Nëntor 2026

Prova e vërtetë e trajnerit do të jetë sfida e së dielës kundër Milanit

çiro Ferrara fitoi edhe tri ditë të tjera jetë në krye të stolit të Juventusit, ndërsa Hidink tri ditë pushime në Kenia, e sipas planit do të mbërrijë në Europë të dielën. Rikthimi i tij nuk do të organizohet si një plan urgjent nga Blank dhe Betega, por holandezi, ashtu sikurse të gjithë tifozët juventinë, do të presin dhe të shohin se çfarë do të ndodhë të dielën në mbrëmje, në sfidën me Milanin. Ferrara tashmë ndodhet në pozita më të mira në krye të stolit, por e ardhmja e tij ende nuk shihet si e sigurt: ndeshja me kuqezinjtë e Leonardos është vendimtare për vazhdimësinë. “Mendoj se është normale që të ndodhë kështu. E njoh mirë botën e futbollit, unë do të vazhdoj të punoj dhe të jem i qetë”, tha trajneri bardhezi. Ndërkohë, ai duhet të bëjë llogaritë me një problem të ri. Dëmtimi i David Trezege në fushën e Parmës është më serioz nga sa u parashikua: ndrydhja në kaviljen e djathtë do të bëjë që sulmuesi francez të qëndrojë jashtë fushave për 40 ditë.Me tri pikët e marra të mërkurën, Juventusi ndërpreu krizën, por nuk ka dalë ende nga tuneli.
Bardhezinjtë riparuan pozitat në klasifikimin e Serisë A, por nuk i kanë zgjidhur problemet. Skuadra gjeti grintën dhe sakrificën, por loja lë ende shumë për të dëshiruar. Gjendja vazhdon të jetë problematike: fitorja në “Tardini” tregoi atë që nuk shkonte. “Në shumë raste na ka munguar dëshira dhe uria për të fituar”, ishte deklarata e drejtpërdrejtë e Xhorxho Kielinit, i cili ishte lojtari më i mirë në fushë. “Duhet të rishfaqemi kompaktë dhe të gjejmë shpirtin e sakrificës. Lojtarët ndihmuan njëri-tjetrin në fushë, kjo ishte shumë e rëndësishme. Më pëlqeu shumë impenjimi i Melos dhe Diegos, por edhe sakrificat e Amaurit që luftonte dhe mbronte topin, në mënyrë që t’i jepte mbrojtjes pak frymëmarrje. Normalisht, loja duhet të përmirësohet. Skuadra gjeti shpirtin e dikurshëm, atë të periudhës së Moxhit”. Skema e re e përdorur, 4-4-1-1 shërbeu për të krijuar më shumë siguri përpara portës së Maninger: loja defensive dha rezultatet e dëshiruara. Megjithatë, herët a vonë Juventusi duhet të krijojë lojë, pasi nuk ndodh shpesh të shënosh dy gola vetëm me një gjuajtje në portë apo të marrësh tri pikët pa ndërtuar qoftë edhe një aksion të rrezikshëm. Për të dielën shumë gjëra duhet të ndryshojnë. Kundër Milanit do të mungojë Kaseres, i skualifikuar dhe Trezege i dëmtuar. Në mbrojtje rikthehet Kanavaro, ndërsa ka pak shpresa për rikuperimin në kohë të Xhanluixhi Bufon e Vinçenco Iakuintës. Ferrara thekson se ndryshimi i ecurisë në kampionat mund të realizohet vetëm “duke gjetur vazhdimësinë në rezultate”. Situata mbetet e pasigurt, trajneri është në dyshim. I vetmi lajm pozitiv është rikthimi i besimit në forcën e kësaj skuadre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›