E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-parkingu i UNMIK’ut në kryeqytet bëhet park

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka pritur kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me të cilin ka biseduar për tarifat e lejeve të ndërtimit sipas Ligjit të ri të Ndërtimit.

Ata janë pajtuar që deri në fund të prillit Prishtina të gjelbërohet edhe me një park. Punimet në kthimin e ish-parkingut të UNMIK-ut në park qyteti do të nisin së shpejti.

Ministri Gashi dhe kryetari Mustafa kanë folur edhe për problemin e mbeturinave, ndër të tjera, rreth mbetjeve shtazore dhe ato të materialit ndërtimor, bëhet me dije përmes një komunikate rreth këtij takimi.

“Gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë për mbetjet shtazore në Prishtinë është urgjente” ka thënë Mustafa, ndërkaq në koordinim me ministrin janë pajtuar që deri në funksionimin e projektit për asgjësimin e tyre, të caktohet një lokacion për grumbullimin e tyre.

Rreth mbetjeve të materialit ndërtimor, kryetari Mustafa ka propozuar të caktohet një lokacion në territorin e Prishtinës dhe të nisë projekti deri në interesimin e kompanive për të bartur atë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›