Ish-policët fyejnë e kërcënojnë dy vëzhgues të jashtëm të PD-së
Një tjetër konflikt është shënuar dje në afërsi të shkollës "Musine Kokalari" në Kombinat, kur dy vëzhgues të Partisë Demokratike kanë denoncuar se janë kërcënuar nga simpatizantë të Partisë Socialiste. Policia, pasi ka regjistruar këto dy kallëzime, ka zbuluar se kërcënimi i dy vëzhguesve është bërë nga disa ish-punonjës policie, mes tyre edhe ish-kryepolici, Pjerin Ndreu. Ky i fundit, bashkë me dy ish-punonjës policie, të cilët janë identifikuar si Valentin Floriri dhe Fatmir Lleshi, dyshohen se në bashkëpunim edhe me simpatizantë të tjerë kanë fyer dhe kërcënuar vëzhguesit. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, rreth orës 11:00, është dhënë informacioni se në afërsi të shkollës "Musine Kokalari" në Tiranë, dy persona, vëzhgues të jashtëm të subjektit politik Partia Demokratike, janë fyer dhe kanosur nga simpatizantë të Partisë Socialiste, midis të cilëve dhe tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit. "Të dy personat, duke vlerësuar situatën dhe për të mos u përplasur fizikisht me këta simpatizantë, janë larguar për në drejtim të Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, ku kanë depozituar kallëzim penal për fyerje dhe kanosje në ngarkim të tre ish-punonjësve të Policisë së Shtetit dhe konkretisht ndaj Pjerin Ndreut, Valentin Floririt dhe Fatmir Lleshit", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Tiranës. Më tej, uniformat nga grupi i punës shpjeguan se materiali kallëzues iu referua menjëherë për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.