E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamzë, kërcënohet nënkryetari i KZAZ-së

Komisioni i Qendrës së Votimit 1595, i lagjes nr. 4, në Bathore, ka përzënë nënkryetarin e KZAZ-së së Kamzës, Altin Xhixha, në kohën që ai ka hyrë për të parë sesi po shkonte procesi i votimit. Një rast i rrallë ky që tregon sesa e tensionuar është dita e zgjedhjeve në këtë zonë, kur një komision i një qendre votimi përzë eprorin e vet, siç është rasti i nënkryetarit të KZAZ-së. Menjëherë pas këtij incidenti të rëndë, në vendngjarje kanë mbërritur vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, si dhe forcat e policisë, të thirrura nga nënkryetari i KZAZ-së. Por, kryetari i komisionit të kësaj qendre votimi e shpjegon ndryshe incidentin. "Na ofendoi pasi thirri të mbyllet qendra e votimit", tha ai për nënkryetarin e përzënë. Kjo deklaratë mohohet nga Xhixha, i cili pohon se sapo ka hyrë në objekt, i pajisur me mjetin e identifikimit, ai jo vetëm që është nxjerrë jashtë, por edhe është kërcënuar. Kërcënimi i dytë ndaj tij ky, pas atij të ditës së shtunë. Ai u kërcënua dy ditë më parë nga një punonjës i policisë së burgjeve, ende i paidentifikuar. Ndërkohë, edhe prania e kamerave të "Top Channel" nuk është pritur edhe aq mirë nga komisioni dhe njerëzit në afërsi të qendrave të votimit. Për anomali në proces flet edhe kandidati socialist, Sul Cara, i cili akuzon kryetarin e Bashkisë së Kamzës se po përdor administratën për të bërë presion tek votuesit. "Ky presion po bëhet nga punonjësit e bashkisë. Për këto katër qendra do të komunikojmë me përfaqësuesit e KZAZ-së dhe mund të tërheqim edhe komisionerët tanë", u shpreh dje Cara. Përveç ambienteve publike të kthyera në qendra publike, në Kamëz, Paskuqan, Bathore e Babrru, 22 prej tyre janë private. Ajo që të bie në sy është se disa nga objektet private ku po votohet janë bilardo, dyqane ushqimore, lokale apo edhe ofiçina makinash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›