Ish-polici godet dhe fyen policin rrugor
KORÇË- Një ish-efektiv policie plagosi një kolegun e tij, ndërsa përfundoi në pranga. Ngjarja është pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik të regjistruar gjatë paradites së të mërkurës në aksin nacional Korçë-Pogradec, në afërsi të qytetit të Maliqit. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se Oltion Çami, ish-efektiv i policisë, ndërsa lëvizte me automjetin e tij me targa të huaja, ka plagosur një punonjës të qarkullimit rrugor të vendosur në një postbllok policie. Por, më pas, duket se në vend që të kërkojë falje, 27-vjeçari banor i qytetit të Pogradecit, ka vendosur që të grindet me ish-kolegët e tij, duke i fyer ata. Si rrjedhojë është dashur ndërhyrja e grupit të gatshëm që Çami të “bindet” për fajësinë e tij, duke u vënë në pranga dhe duke u akuzuar për “kundërshtim të punonjësit të policisë”, “goditje për shkak të detyrës”, si dhe “kanosje e fyerje për shkak të detyrës”. Nga ana tjetër, polici rrugor i cili u godit nga Çami, u dërgua menjëherë në spitalin e Korçës ku edhe mori ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.