Pezullohet mësimi në shkollat 9-vjeçare në Lezhë
LEZHË - Moti i keq dhe shirat e rëna që kanë përfshirë të gjithë territorin e Shqipërisë, kanë sjellë probleme në prefekturën e Lezhës. Reshjet e dendura kanë krijuar pellgje të mëdha uji pranë ambienteve shkollore. Shumë prej tyre janë përmbytur, duke krijuar vështirësi në mbarëvajtjen e procesit mësimor. Këto probleme janë konstatuar kryesisht në kompleksin e shkollave në lagjen “Besëlidhja”, ku të gjitha ambientet përreth saj janë mbuluar me ujë. Në shkollën 9-vjeçare të lagjes “Kodërmarlekaj” të bashkisë Lezhë, mësimi është pezulluar përkohësisht pasi rruga që të dërgon tek kjo shkollë është përmbytur plotësisht duke qenë e pakalueshme. Ndërmarrja e shërbimeve pranë bashkisë Lezhë, e cila ka qenë në dijeni të këtij fakti nuk ka ndërhyrë në kohë për mbushjen dhe shtrimin e saj, duke e lënë në mëshirë të fatit. E ndërtuar këtë vit, ajo është një shkollë e re që gjendet në një prej lagjeve të krijuara pas viteve ‘90. Nëse nuk ka ndonjë përmirësim të situatës së reshjeve, atëherë mësimi në këtë shkollë nuk mund të vazhdojë. Tepër problematike është paraqitur situata në rrugën që lidh superstradën me Shëngjinin. Hyrja kryesore e kësaj rruge është përmbytur plotësisht, duke vështirësuar ndjeshëm kalimin e mjeteve. Akoma më problematike është paraqitur pjesa e dytë e këtij segmenti rrugor, pikërisht në aksin dytësor që është hapur, pasi rruga kryesore është në ndërtim e sipër, ku kalimi ka qenë thuajse i pamundur. Ky segment i cili lidh Shëngjinin me Kunen dhe qytetin e Lezhës është totalisht nën ujë, kjo për shkak të nivelit të ulët që ka. Asnjë ndërhyrje nuk është kryer për të normalizuar situatën, duke e lënë gjithçka në mëshirë të fatit. Reshjet të cilat ende vazhdojnë mund të sjellin një përkeqësim të situatës, që është njëkohësisht edhe penalizim për të gjithë banorët e Shëngjinit. Duke mos mjaftuar situata e krijuar nga reshjet e shiut edhe mungesa e energjisë për shkak të defekteve të shumta i është shtuar kësaj situate në Lezhë. Mjaft me probleme paraqitet situata në fshatin Barbullojë të Lezhës, ku me dhjetëra shtëpi janë izoluar nga uji, duke rrezikuar edhe përmbytjen e tyre. Tokat bujqësore të këtij fshati janë përmbytur plotësisht duke sjellë edhe dëme në prodhimet bujqësore. Shtabi i emergjencave civile nuk ka publikuar asnjë përkeqësim të situatës në prefekturën e Lezhës, ndërsa e kundërta është vërejtur nga terreni. Sipas tyre, gjithçka është normale. Lezha është një ndër qytetet që preket më shumë nga shirat dhe ky fakt nuk krijon premisa të një situate më të mirë, duke pritur që moti të jetë i mëshirshëm në këtë zonë.