Ish-polici i burgut i vë eksploziv rivalit në dashuri
Një ish-efektiv i policisë së burgjeve është arrestuar dje në Krujë, pasi i kishte vendosur eksploziv një bashkëqytetari të tij, rival në dashuri. Burimet zyrtare të policisë njoftuan se në automjetin e Haxhi Bramit, 25 vjeç, u gjetën armë, pranga, stema policie, si edhe shkopinj gome. Arrestimi i tij u bë natën e së enjtes, pas hetimeve të para mbi shpërthimin e një automjeti të një bashkëmoshatari të tij krutan në lagjen “Sesere” të qytetit. Nga hetimet rezultoi se Brami, në bashkëpunim edhe me shtetasit Erind Sadiku dhe Engjëll Vogli, të dy 20-vjeçarë, janë të dyshuarit kryesorë të ngjarjes që tronditi këtë lagje të qytetit historik. Të tre dyshohet se kanë vendosur një sasi lënde eksplozive në autoveturën tip “Benz” me targa H8CJN, pronë e shtetasit Sh.K. nga Kruja, që gjatë shpërthimit është dëmtuar pjesërisht. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip BMW, pronë e 25-vjeçarit Haxhi Brami, u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik model 56, dy krehër pistolete me nga shtatë copë fishekë, dy stema policie, një palë pranga dhe dy shkopinj gome. Inspektorët e policisë krutane kryen veprimet procedurale dhe materialet për veprat penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv, mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake dhe mbajtjes pa të drejtë të uniformës në ngarkim të shtetasit Haxhi Brami, si dhe për veprën penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv për shtetasit Erind Sadiku dhe Engjell Vogli, iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë. Mësohet se Brami ka punuar deri pak kohë më parë si polic në Burgun e Zaharisë në Krujë.
#