Në pranga 20-vjeçari, goditi policinë pas protestës së opozitës
Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Marjan Kolpoja, 20 vjeç, lindur dhe banues në Barraj të Shkodrës. I riu, sipas njoftimit zyrtar të policisë së kryeqytetit, ishte një nga pjesëmarrësit e protestës së opozitës. Ai është ndaluar dy net më parë menjëherë pas përfundimit të protestës së organizuar nga opozita, pasi është kapur në flagrancë. Sipas uniformave blu, 20-vjeçari ka thyer xhamat e një automjeti të policisë, që ndodhej në afërsi të protestës. Ngjarja ka ndodhur të enjten, rreth orës 20:30, kur Kolpodja, pasi ka debatuar me punonjësit e policisë, ka goditur makinën e patrullës së përgjithshme, duke thyer njërin xham. Pas kësaj ngjarjeje, i riu është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Numër 3. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, materialet hetimore të përpiluara i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprat penale të “Kundërshtimit të punonjësve të policisë” dhe “Dëmtim prone”.
#