Kakavijë, kapet me 11 kg marijuanë parukerja
Një grua e re u kap me 11 kilogramë marijuanë dje në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa tentonte të kalonte bashkë me mallin e shtrenjtë për në Greqi. Policia e Gjirokastrës njoftoi dje për realizimin me sukses të operacionit “Parukerja”, në përfundim të të cilit u arrestua 27-vjeçarja Pranvera Këndella, nga Gjirokastra, me profesion parukere.
Policia kishte informacion për trafikun e një sasie droge dhe rreth orës 21.00 të së enjtes u realizuan disa kontrolle në disa autobusë të linjave të ndryshme që lëviznin në drejtim të shtetit grek. Si rezultat i këtyre kontrolleve, në një autobus të linjës Gjirokastër-Athinë, në sediljen e parafundit u konstatuan dy çanta të mbushura me marijuanë. Menjëherë u bë bllokimi i autobusit, ndërsa u prangos pasagjerja që ishte ulur pranë çantave me drogë. Në vendngjarje shkuan më pas specialistët e sektorit kundër krimit të organizuar, si edhe grupi hetimor. Nga veprimet e kryera prej grupit hetimor u konstatua se bëhej fjalë për 11 pako njëkilogramëshe me marijuanë. Zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës tha se specialistët dhe agjentët e policisë mundën të identifikojnë si autore të këtij trafiku të lëndëve narkotike udhëtaren që ishte ulur në sediljen e parafundit, e cila quhej Pranvera Këndella, e datëlindjes 1983, lindur dhe banuese në Gjirokastër me profesion parukere.
E arrestuara u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme, ndërsa autobusi i linjës, së bashku me pasagjerët dhe shoferin, pasi dhanë deklarimet e nevojshme vazhduan lëvizjen drejt Athinës. Rreth orës 23.30, Këndella u arrestua dhe iu sekuestruan 1430 euro, celulari dhe pasaporta.