E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-presidentët Meidani e Moisiu: Imami ka shkelur Kushtetutën

TIRANE - Ish-presidentët Alfred Moisiu e Rexhep Meidani vlerësojnë si antikushtetues urdhrin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për emërimin e komandantit të Flotës Detare pa dekretim të presidentit.

Në një prononcim për gazetën Panorama, ish-presidenti Moisiu dënon rëndë këtë veprim të ministrit Imami, pasi sipas tij Kushtetuta e përcakton qartë se "Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore”.

Duke hedhur poshtë pretendimet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjunkshi, se për rastin konkret nuk nevojitet dekretimi i Presidentit për shkak se Ferdinand Kreshpani i sapoemëruar nuk është gjeneral, Moisiu sjell në vëmendjen dekretimin e mëparshëm të komandantit të Flotës Detare të bërë prej tij.

“Kushtetuta nuk shprehet që nëse komandanti i Forcave Detare nuk është gjeneral, mund të emërohet nga ministri i Mbrojtjes pa dekretimin nga Presidenti i Republikës. Edhe unë, kur kam dekretuar Kristaq Gervenin si komandant të Flotës Detare, ai nuk ka pasur gradën e gjeneralit, por ka qenë kapiten i rangut të parë”, u shpreh Moisiu.

Në të njëjtin qëndrim është edhe ish-presidenti Meidani, i cili në një analizë të botuar në gazetën Panorama, thekson se është shkelur Kushtetuta, pasi neni 169 nuk lejon asnjë lloj ambiguiteti në emërime. 

Duke iu refereuar nenit 169/3, Medani thekson se Presidenti në kohë paqeje me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore. 

“Ky paragraf kushtetues nuk lejon asnjë lloj ambiguiteti në procedurën e emërimit të komandantëve të forcave tokësore, detare dhe ajrore. Edhe pse ruhet linja e emërimit Kryeministër-President, si në kohë paqe për Shefin e Shtabit, aty nuk përfshihet ministri i Mbrojtjes në përfaqësimin e drejtimit civil, apo Shtabi i Përgjithshëm në drejtimin operativ-ushtarak.”- shkruan Meidani.

Dy ditë më parë, në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, u bë publik një urdhër i ministrit të Mbrojtjes, përmes të cilit kishte emëruar komandant të Flotës Detare Ferdinand Kreshpanin, “Kapiten i Rangut të Parë”, pa e çuar në Presidencë për dekretim. 

(er.nu/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera 'Gafa' e Gjunkshit: Topi emëron vetëm gjeneralët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›