Ish-presidenti amerikan Bill Klinton mbërrin në Tiranë, pritet nga kryeministri Edi Rama

Ish-presidenti amerikan Bill Klinton ka mbërritur ne aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku është pritur nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Në vijim Ish-presidenti Klinton do të akomodohet në një prej vilave qeveritare dhe më pas në 18.30, në selinë e qeverisë ku do të marrë pjesë në një takim informal me kabinetin qeveritar.
Më pas ish-presidenti do t’i drejtohet ceremonisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, do të nderohet me Kordonin e Madh me “Yllin e Mirënjohjes Publike”.
Presidenti amerikan Klinton dhe kryeministri Edi Rama do t’i adresohen me një fjalë të posaçme të pranishmëve dhe publikut.
Në kuadër të kësaj vizite të parë zyrtare të ish-presidentit amerikan në vendin tonë, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, duke filluar nga aeroporti i Rinasit, shoqërimi drejt Tiranës në vendet ku do të zhvillohen takimet, akomodimi dhe shoqërimi drejt Rinasit, në përfundim të vizitës.
Klinton shërbeu si presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara nga viti 1993 deri në 2001.
/rtsh.al/