Vokshi: Pse nuk publikohet raporti mjekësor i bashkëshortes së Tahirit? ILD: Nuk ka ankesë për të pasur inspektim

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ‘ka zbritur” në Kuvend. Deputetja demokrate Albana Vokshi ka drejtuar disa pyetje ndaj kreut të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanit në lidhje me ndryshimin e masës për Saimir Tahirin dhe mos bërjen publik të raportit të bashkëshortes së tij, që u mor në konsideratë për ndryshimin e dënimit.
Vokshi ka kërkuar informacion nga kreu i ILD-së nëse ka nisur një inspektim në lidhje me këtë çështje.
“Para disa ditësh, gjykata vendosi ndryshimin e masës së arrestit për ish-ministrin e brendshëm, Samir Tahiri, si e vlerësoni këtë vendim. Pse nuk bëhet publik raporti mjekësor për bashkëshorten që u mor në konsideratë për ndryshimin e dënimit në arrest shtëpiak. A ka nisur qoftë dhe kryesisht ILD-ja inspektim për këtë çështje?”, tha Vokshi.
Në fjalën e tij, kreu i ILD-së u shpreh se nuk ka asnjë inspektim për këtë çështje, pasi sikurse sqaroi ai, nuk ka patur asnjë ankesë.
“Nuk ka inspektim të nisur nga ILD, nuk ka asnjë ankesë të paraqitur pranë ILD-së”, tha ai.
Gjykata e Elbasanit vendosi më 2 qershor lirimin me kusht të Tahirit, i cili pjesën e mbetur të dënimit do e kryejë në shtëpi. Tahiri vuante dënimin e tij në burgun e Lushnjës.
Ish-ministri i Brendshëm u dënua me 3 vite e 4 muaj burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar për ‘Shpërdorim detyre” dhe se i ka mbetur më shumë se 1 vit burg për të kryer ende.
Në vendimin e gjykatës thuhet se “Lejohet i dënuari Samir Bashkim Tahiri, që gjatë periudhës se qëndrimit në shtëpi të largohet nga vendbanimi tij për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare për të cilat Shërbimi i Provës është dakord”.
Saimir Tahiri u dënua me burg në shkurt të 2022, ndërsa disa herë kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për lirim nga burg, kërkesë që nuk ishte pranuar. Ish-ministrit Saimir Tahiri përtej dënimit i është hequr e drejta edhe për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3-vjeçare.
/rtsh.al/