E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-presidentja e serbëve të Bosnjes mund të lirohet

Gjykata e krimeve të luftës për Jugosllavinë në Hagë, ka pranuar një kërkesë për lirimin e parakohshëm të Plavsiç. Ajo u dënua në shkurt të vitit 2003 pas persekutimit të myslimanëve të Bosnjes gjatë luftës së viteve 1992-1995, dhe në muajin tetor përmbush dy të tretat e dënimit të saj, çka sipas ligjeve të Suedisë, ku edhe po shlyen dënimin, i jep të drejtën e kërkesës për lirim me kusht.
     
Gjykatësi Patrick Robinson në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish Jugosllavinë deklaroi sot se "Plavsiç mund të lirohet me kusht sepse e parashikon ligji suedez, pa u ndikuar nga pesha e krimeve të saj".
     
Personat që dënohen në Gjykatën e Hagës nuk mund ta shlyejnë dënimin në qendrën e burgimit të gjykatës për shkak se nuk është një burg i mirëfilltë. Kështu të gjithë të burgosurit që e përfundojnë gjykimin, transferohen në një burg të mirëfilltë jashtë kufijve të Holandës.
     
Plavisç u shpall fajtore për "persekutime politike, raciale dhe me bazë fetare duke dërguar paraushtarakë nga Serbia drejt Bosnjës për të mbështetur forcat serbo-boshnjake që shkaktuan përçarje etnike me forcë".
     
Një pjesë e akuzave për gjenocid, shfarosje dhe vrasje, u hoqën nga padia.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›