E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, kronikë ngjarjesh financiare mbas 15-09-2008

Më 15 Shtator 2008 ndodhi ajo, çfarë më parë të shumtë ishin ata që e quanin të pamundur të ndodhte. Banka e Investimeve “Lehman Brothers” u shemb. Këtë rënie e pasoi një krizë e rëndë dhe falimente të tjera të mëdha e gati-gati edhe moratoriume shtetesh. Ja një prapavështrim mbi ngjarjet më të rëndësishme:

-15 Shtator 2008: 158 vjeçarja Nju Jorkeze (New Yorker), Banka e Investimeve Lehman Brothers duhet të aplikojë për mbrojtjen e kreditorëve, pasi Ministria e Financave dhe FED-i (Banka Qendrore Amerikane) kanë refuzuar për shpëtimin e saj. Rënia e saj çoi në humbjen e besimit të bankave ndërmjet tyre, tregu ndërbankar u shter. Merryl Lynch iu shit Bankës së Amerikës (Bank of America). Goldman Sachs dhe Morgan Stanley u kthyen në banka të zakonshme tregtare. Me këto ngjarje përfundoi epoka e bankave investuese të mëdhaja amerikane.

-17 Shtator 2008: FED-i (Banka Qendrore Amerikane) i jep një kredi prej 85 miliardë Dollarësh grupit të madh të kompanisë së sigurimeve American International Group (AIG) pas goditjes që pësoi. Me këtë veprim Qeveria Amerikane bëhet 80% pjesë e kësaj kompanie. Në muajt në vazhdim ndihma financiare e kësaj kompanie shkon në mbi 182 miliardë Dollarë.

-26 Shtator 2008: Arka e Kursimeve Amerikane “Washington Mutual” u rrënua pasi klientët e shumtë të saj tërhoqën kursimet e tyre. Ky lloj rrënimi ishte më i madhi në historinë e Shteteve të Bashkuara. Asetet e Institutit te Kreditit iu shitën bankës së madhe J. P. Morgan Chase.

- 29 Shtator 2008: Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu janë të përfshira me 11,2 miliardë Euro në grupin e madh financiar Fortis. Një ditë më vonë këto shtete duhet të ndihmojnë bankën Dexia me 6.4 miliardë Euro.

- 3 Tetor 2008: Me një ngutje të madhe në Shtetet e Bashkuara do të miratohej një paketë e rëndë shpëtimi prej 700 miliardë Dollarësh për sistemin financiar.

- 5 Tetor 2008: Përfaqësues bankash dhe të Qeverisë Federale Gjermane bien dakord për një paketë ndihme për Hypo Real Estate me mbi 50 miliardë Euro. Qeveria Federale jep një garanci shtetërore për të gjitha kursimet private, letrat me vlerë dhe llogaritë rrjedhëse.

- 6 Tetor 2008: Një ligj emergjent fuqizon Qeverinë e Islandës për shtetëzimin e bankave: Glitnir, Landsbanki dhe Kaupthing. Detyrimet dhe borxhet e këtyre bankave çojnë pothuajse në faliment kombëtar Islandën.

- 7 Tetor 2008: Ministrat e Financave të Bashkimit Europian vendosin për një paketë me masa me të cilat do të përballohen pasojat e krizës financiare në mbrojtje si të kursimtarëve ashtu edhe të kompanive. Në këto masa futet: 1) ngritja e minimumit të depozitave të siguruara me ligj në shtetet e Bashkimit Europian nga 20,000 në 50,000 Euro për të paktën një vit; 2) ndryshimi i rregullave për bilancet e bankave; 3) konfirmimi në parim që bankat në nevojë sipas sistemeve ku ato operojnë do të shpëtohen, ashtu si dhe marrëveshja mbi ``parimin e përgjithshëm`` për rikapitalizimin e instituteve të goditura nga kriza.

- 13 Tetor 2008: Qeveria Federale Gjermane vendos për një paketë shpëtimi për bankat. Ajo kap shifrën 80 miliardë Euro që do të jetë në dispozicion për kapitalet e bankave. Përveç kësaj shteti Gjerman garanton me 400 miliardë Euro për detyrimet e bankave.

- 13 Tetor 2008: Shteti Britanik bëhet aksioner për 47,3 miliardë Euro në Royal Bank të Skocisë dhe Grupit Bankar Llojds. Në Janar do të akordohet një paketë shpëtimi e dytë. Me këto Banka e Anglisë do të blejë aksionet në rrezik te ashtuquajturave “Bankat e Këqija”.

- 29 Tetor 2008: Hungaria merr 20 miliardë Euro ndihma kapitale ndërkombëtare për të shmangur një falimentim shtetëror kërcënues. Në fillim të nëntorit, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbron Ukrainën me një kredi prej 13 miliardë Euro për stabilizimin e sistemit bankar. Gjithmonë e më shumë shtete të lëkundura kërkojnë ndihmë nga FMN-ja.

- 16 Nëntor 2008: Në samitin e Washingtonit ku u mblodhën shefat e shteteve dhe të qeverive të G 20-ës u ra dakord për një politikë me rigoroze për tregjet financiare ndërkombëtare dhe për masat e stimulimit të konjukturës.

- 24 Nëntor 2008: Qeveria Amerikane shpëton Citigroup me 326 miliardë Dollarë përpara shkatërrimit të tij. Në Janar do të bëhej e ditur shkrirja e kompanisë së letrave me vlerë për klientët private “Smith Barney” me Morgan Stenley. Në shkurt pjesëmarrja shtetërore si aksioner do të rritej në to me 36%.

- 16 Dhjetor 2008: FED-i (Banka Qendrore Amerikane) e fundos normën bazë të interesit në një thellësi rekord prej 0 %.

- 11 Shkurt 2009: Qeveria Irlandeze investon 7 miliardë Euro në dy bankat e mëdha të vendit, në “Banka e Irlandës” (Bank of Ireland) dhe “Allied Irish Banks”

- 3 Mars 2009: Qeveria Amerikane me ndihmën e Bankës Qendrore pompon në ekonominë e vendit deri në një bilion dollarë para të freskëta.

- 2 Prill 2009: Në samitin financiar botëror të dytë vendet e G 20-ës në Londër bien dakord për një sërë rregullash të reja dhe kontrolle për fondet derivative, kompanitë e vlerësimeve dhe instituteve të tjera financiare. Gjithashtu u akorduan edhe një bilion Dollarë ndihmë financiare për vendet e varfra.

- 7 Maj 2009: Që norma baze e interesit kapi thellësinë e saj historike, në politikën monetare duhen përcaktuar rrugë të reja. Banka Qendrore Europiane njoftoi për blerjen më të madhe të letër garancive prej 60 miliardë Euro.

- 31 Korrik 2009: Në Washington propozohet një projekt-ligj që parashikon kufizim të praktikave të pagave dhe bonuseve të larta nëpër banka.

Datat e mësipërme shënojnë vetëm majat e falimenteve të mëdha që pasuan Lehman Brothers, por nga ato nuk mund të duken hollësisht pasojat që preken thellë ekonomitë e shumë vendeve të varfra e të pasura e bashkë me to dhe popujt e tyre. Recesionit duket sikur po i vjen fundi, por jo krizës, dhe kjo do të thotë që nuk është ky fundi i problemit, pasi së shpejti edhe mund të përballemi me recesionin e radhës.

përgatiti: Avenir Lleshanaku

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›