E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët, shpërblimi financiar më 15 shtator

02/09/2011  Procedura e shpërndarjes së këstit të radhës për ata që preken nga legalizimi

Lista e radhës me pronarët e pasurive të paluajtshme të prekura nga ndërtimet informale që do të marrin këstin e radhës të shpërblimit financiar nga AKKP-ja do të jetë gati më 15 shtator. Burimet zyrtare bëjnë me dije se shumë shpejt do të nisë shqyrtimi i dokumenteve. Shpallja e kategorive fituese do të vijojë të zbatohet sipas afatit kohore të përcaktuar më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë 5 muajve të parë të vitit mbi 45% e fondit vjetor është realizuar për kompensimin e ish-pronarëve. AKKP-ja ka realizuar një shumë të ardhurash që lidhen me pagesat e bëra nga procesi i legalizimeve. Deri në maj 2011, ky fond arrin në 815 milionë lekë nga 1,400 milionë lekë që është planifikuar, ose 58.21% e totalit të parashikuar vjetor.

Shpërndarja e fondit

Për pronarët e pasurive të paluajtshme të prekura nga ndërtimet informale, pak kohë më parë nga AKKP është publikuar edhe lista më e fundit e përfituesve që përbëjnë grupin e katërt të pronarëve që kompensohen. Të hollat e kompensimit për secilin përfitues, siç tashmë veprohet prej kohësh, janë shpërndarë në llogaritë bankare që prej ditëve të para të majit. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pasi përfundoi procesin e shqyrtimit të kërkesave të pronarëve që përfitojnë shpërblimin me këste, bëri me dije se subjektet aplikues kanë përfituar deri më sot mbi 37% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Procedurat

Kësti i dëmshpërblimit për këta përfitues do të jetë 37% e shumës totale të kompensimit, e barabartë me shumën që kanë përfituar subjektet e deritanishme. Numri i individëve përfitues deri tani nga AKKP-ja arrin në 2065 persona dhe 345 persona preken nga procesi i legalizimeve. Të dhënat e subjekteve përfituese janë të evidentuara në listat e miratuara me VKM. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 mijë lekësh pranë zyrës së financës së AKKP-së, si dhe të hapin në emër të tyre një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së, Tiranë, dokumentacionin që përmban kërkesën tip që i bashkëlidhet VKM-së, të plotësuar sipas rubrikave. Kriteri tjetër lidhet me dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës përcaktuar në Kodin Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial, të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues nuk jeton). Kriteret e tjera janë prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre, vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare, dokument identifikimi, si dhe certifikatë familjare të kërkuesit/aplikuesit, si dhe mandat-pagesën për shumën 2 mijë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›