Ish të përndjekurit kundër "Ditës së Kujtesës"

Presidenti i Republikës, Topi, premton përkrahjen për rrëzimin e vendimit të qeverisë për 20 shkurtin
TIRANË - Shpallja e 20 shkurtit si "Dita e Kujtesës" për krimet e komunizmit, nga kryeministri Sali Berisha duket se do të kthehet në debatin e radhës ndërmjet institucioneve shqiptare.
Mosdekretimi i këtij vendimi ka qenë kërkesa më e fundit që i është bërë Presidentit të Republikës, Bamir Topit.
Kanë qenë drejtues të Qendrës Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës, të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, të Shoqatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe të përndjekur politikë protagonistë të 20 shkurtit 1991, ata që i kanë kërkuar presidentit Topi mosdekretimin e kësaj date, sipas emërtimit të bërë nga Këshilli i Ministrave.
Ky ka qenë qëllimi i takimit të zhvilluar dje ndërmjet Presidentit Topi dhe përfaqësuesve të këtyre shoqatave, Gëzim Kalaja, Adrian Kati, Lulzim Braja dhe Sajmir Maloku.
Gjatë takimit që ka zgjatur rreth një orë, krerët e këtyre grupimeve kanë kundërshtuar vendimin e marrë me argumentin se shpallja e këtij vendimi ka qenë krejtësisht politik dhe se nuk simbolizon të vërtetën historike të atij momenti që shënon dhe fundin e rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Kështu mësohet se drejtuesit e këtyre shoqatave kanë kërkuar që emërtimi i datës simbol 20 shkurt 1991, të pasqyrojë më mirë anën dhe të vërtetën historike të atij momenti, duke e përkujtuar si ditë të shembjes së diktaturës komuniste dhe të nderimit të viktimave të regjimit komunist.
Megjithëse takimi ka përfunduar pa një vendim të qartë, Adrian Kati e ka konsideruar atë të frytshëm për nga rruga ligjore që do të ndiqet në abrogimin e ligjit të miratuar nga këshilli i Ministrave për këtë ngjarje.
Ndërsa në faqen zyrtare të Presidencës thuhet: Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pasi dëgjoi me vëmendje mendimet e shprehura nga bashkëbiseduesit në këtë takim, Kreu i shtetit shqiptar i siguroi ata rreth vullnetit dhe predispozicionit të plotë personal dhe institucional ndaj shqetësimeve të tyre, duke u sugjeruar që të ngrenë zërin dhe të ndjekin të gjitha rrugët dhe procedurat e ligjshme institucionale me synim përmbushjen e kërkesës së tyre".