Kriza politike, PSE: Të hapen kutitë e votimit
Grupi socialist dhe demokrat në Parlamentin Europian kërkon një zgjidhje të balancuar për ngërçin politik në Shqipëri
STRASBURG - Kur nismat e Partisë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve të Qershorit, po diskutohen e shqyrtohen në Komisionin e Ligjeve, opozita ka marrë edhe mbështetjen e Partive Socialiste Europiane për hapjen e kutive të votimit, si e vetmja rrugë për të dalë nga kriza politike.
Këtë qëndrim e ka shprehur vetë kryetari Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, Martin Schultz.
Ai ka kërkuar që puna e komisionit hetimor të përfshijë një hetim të plotë, duke hapur edhe kutitë e votimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, për të vëzhguar mënyrën sesi janë zhvilluar ato.
Vetëm në këtë mënyrë, sipas Shultz, mund të shfaqet një mundësi e re për dialog konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës, duke zgjidhur krizën politike e duke ndihmuar njëkohësisht edhe procesin e integrimit europian.
Gjatë takimeve që vetë lideri i opozitës, Edi Rama zhvilloi me krerët e këtyre partive në Strasburg, ai ka marrë edhe garancinë e tyre, për kërkesat parashtruara të opozitës ndaj mazhorancës.
Kryetari i Partisë Socialiste, Rama, ka theksuar në këto takime, se partia që ai drejton i pranon vendimet e KQZ-së pas zgjedhore dhe nuk synon të ndryshojë rezultatin e tyre. Ndërkohë që jashtë diskutimeve nuk është lënë edhe rasti i komunës "Ruzhdie" të qarkut Fier, ku prokuroria e këtij qarku evidentoi manipulime në procesin zgjedhor.
Grupi i partive socialiste dhe atyre demokrate europiane kanë kërkuar që forcat politike shqiptare të marrin kohë të mjaftueshme për të arritur në një zgjidhje të ekuilibruar të krizës politike në vend.
Për të parë nga afër situatën politike dhe për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e saj, zëvendëspresidentët e grupit demokrat e socialist, përkatësisht Severin dhe Svoboda theksuan se së bashku me europarlamentarë të tjerë mund të vizitojnë Shqipërinë për të dialoguar me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim gjetjen e një kompromisi politik të balancuar.
Më datën 18 mars të javës së ardhshme, Parlamenti pritet të diskutojë e miratojë kërkesat e Partisë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, ku bëjnë pjesë ngritja e komisionit hetimor, rregullimi me ligj i punës së këtij komisioni, që do të synojë edhe hapjen e kutive të votimit, e cila deri më tani është refuzuar në mënyrë kategorike nga mazhoranca qeverisëse, me justifikimin se hapja e kutive prek vendimet e Kolegjit Zgjedhor, si dhe cenon Kushtetutën e vendit.