E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-të përndjekurit letër Berishës: Ul moshën e dëmshpërblimit

TIRANË- Një grup ish-të përndjekurish politikë i dërguan sot një letër të hapur kryeministrit të vendit Sali Berisha, ku i kërkojnë të japë miratimin për propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve, duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen, përkatësisht në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat,

Ish-të përndjekurit i bëjnë thirrje kryeministrit të kthejë variantin e miratuar në Komisionin e Ligjeve, pasi sipas tyre vendimi për të dëmshpërblyer të përndjekur që kanë mbushur 85 vjeç është një përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë ndaj shtresës së përvuajtur të ish-të burgosurve.

"Ne ju bëjmë thirrje ta rishikoni propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen menjëherë në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat. Kjo masë sigurisht nuk mjafton për të përmbushur detyrimin që ka në radhë të parë qeveria, por edhe shoqëria shqiptare, ndaj shtresës sonë. Por në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish. E mbase do t’ju lehtësonte sadopak edhe juve vetë nga përgjegjësia e madhe që keni në raport me ta për gjithë këto vite premtimesh boshe e zhgënjimesh dëshpëruese në familjet tona",- thuhet në letrën e ish-të përndjekurve.
(el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera LETRA E ISH-TË PËRNDJEKURVE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›