Xhelozia, shqiptari ther me thikë gruan
Një grua shqiptare është gjetur dje e masakruar me thikë në Itali. Viktima e krimit, që besohet se ka ndodhur për xhelozi, është shtetasja Hane Gjelaj, 47 vjeçe. Ajo besohet se është vrarë në orën 21:30 të së hënës, ndërsa i dyshuari kryesor për Policinë italiane është bashkëshorti i viktimës, shtetasi Pashko Gjelaj. Ngjarja ka ndodhur në provincën Noale të Venecias. Nga të dhënat e Policisë italiane bëhet e ditur se dëshmitarët e gjetën gruan shqiptare të mbuluar me gjak, ndërsa thika ndodhej pranë kufomës. Viktima mësohet se kishte tri plagë në trup, ndërsa ishte prerë me thikë edhe në qafë. Nga ana tjetër, i shoqi i viktimës, me një biçikletë, thuhet se ka dashur të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar më pas nga policia pa bërë rezistencë. Një i njohur i viktimës dhe autorit të krimit, i ka thënë policisë se bashkëshorti ishte xheloz për gruan e tij dhe vazhdimisht e dhunonte atë për këtë arsye. Besohet se para vrasjes, dy bashkëshortët kanë pasur konflikt në banesën dhe më pas kanë dalë duke u ndjekur në rrugët e fshatit. Krimi ka ndodhur në një ambient të hapur, ndonëse policia mbërriti aty pasi ishte njoftuar nga banorët që kur bashkëshortët ishin dëgjuar teksa bërtisnin në shtëpinë e tyre. Autori i vrasjes së shtetases shqiptare është arrestuar dje nga policia italiane, ndërsa burimet nga hetimi nuk kanë bërë të ditur ende qëndrimin e mbajtur prej tij në lidhje me akuzën për vrasjen e gruas 47-vjeçare.