Vrasja në Berat, autorët kapen në bunker

Komisariati i Policisë Berat
Krimi për një vajzë, në sherr u përfshinë dy familjet. Dy u plagosën.
Vetëm disa orë kanë mundur tu shpëtojnë prangave vëllezërit Besnik dhe Bedri Ibrahimi, si dhe 20-vjeçari Klevis Ibrahimi. Ata akuzohen si autorë të ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Poshnjë, ku mbeti i vdekur 42-vjeçari Gëzim Protoduari dhe u plagosën vëllai dhe djali i tij, Edmond e Sako Produari. Operacioni policor, i koduar Gorica, u realizua në zonën e Shpiragut, ku të kërkuarit që strehoheshin në bunkerë u arrestuan rreth 8 orë pas ngjarjes.
Rreth orës 04:00 u arrestuan shtetasit: Besnik Ibrahimi, 41 vjeç, Bedri Ibrahimi, 50 vjeç dhe Klevis Ibrahimi, 20 vjeç, të cilët, për ti shpëtuar policisë, u larguan nga vendi i ngjarjes dhe ishin fshehur në bunker në malin e Goricës, në zonën e Shpiragut. Të tre këta shtetas janë autorë të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Poshnjë të rrethit të Beratit, bëri të ditur Policia e Beratit.
Konflikti kishte nisur pasi fëmijët e familjeve Protoduari e Ibrahimi, konkretisht djemtë Sako Protoduari 20 vjeç dhe Klevis Ibrahimi 20 vjeç, ishin rrahur me njëri-tjetrin për një vajzë gjimnaziste në Urën Vajgurore. Prindërit dhe xhaxhallarët e djemve janë takuar mbrëmjen e së hënës në një nga lokalet e fshatit Poshnjë për të sqaruar konfliktin. Por debati ka degjeneruar në të shara e fyerje. Nga hetimet e kryera dhe deklarimet e të arrestuarve mësohet se, kur kanë dalë jashtë nga lokali, viktima Gëzim Protoduari ka qëlluar me një levë hekuri në trup Bedri Ibrahimin. Ky i fundit ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur disa herë në trup atë dhe të vëllain, Edmondin. Duke parë se babai e xhaxhai i tij po qëlloheshim me thika nga vëllezërit Ibrahimi, është futur për ti ndihmuar edhe djali, Sako Protoduari. Por edhe ai është goditur disa herë me thikë. Burime nga reparti i kirurgjisë në spitalin e Beratit bënë të ditur se 50-vjeçari Gëzim Protoduari ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi ishte qëlluar disa herë në trup me thikë. Ndërkohë, në gjendje të rëndë ka mbërritur djali i tij, Sako, i cili ndodhet në terapi intensive pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ndërsa Edmond Protoduari mësohet se ka marrë plagë më të lehta. Burime të Policisë bënë të ditur se autorët e ngjarjes janë larguar në drejtim të malit të Shpiragut, ku janë fshehur në një bunker. Pasi kanë parë se janë të rrethuar, 20-vjeçari ka tentuar të largohet në një tjetër bunker. Por blutë kanë arritur ti arrestojnë ata pa shkaktuar incidente. Në momentin e arrestimit ata kishin me vete një armë zjarri gjahu dhe disa fishekë.
BERAT/ DILAVER XHELILI
Pukë, kapet i kërkuari për vrasje
PUKE – Policia e Pukës arrestoi pas rreth 7 muajsh një të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje. Ngjarja ndodhi në fshatin Gjegjan të Pukës, ku mbeti i vrarë shtetasi Bardhok Marku. Pas hetimeve të kryera, blutë e Pukës kryen një operacion ditën e djeshme, nga ku bënë të mundur arrestimin e shtetasit të shpallur në kërkim, Albert Loçi. Dyshohet se 30-vjeçari Loçi, në bashkëpunim me Nikolin dhe Petrit Gjetën (të arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar), në gusht të 2011-ës, kanë vrarë në pritë Bardhok Markun. Viktima u godit me mjete të forta dhe si pasojë e plagëve të marra ai humbi jetën. Sipas Policisë, arrestimi i 30- vjeçarit u bë pas sinjaleve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e tij.FUSHE-KRUJE
Plagoset me tre plumba për një gërvishtje makine. Ngjarja, sipas Policisë, ndodhi kur dy të rinj bashkëmoshatarë nga fshatrat e Krujës janë konfliktuar dhe më pas kanë përdorur armë. Sipas burimeve të Policisë së Fushë-Krujës, ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së hënës. Lekë Abazi, 30 vjeç, nga fshati Deven i Krujës, ka qenë duke u shkëmbyer në hyrje të qytetit të Fushë-Krujës me mjetin e tij me 30-vjeçarin Durim Saliu, nga fshati Luz. Gjatë shkëmbimit ata kanë fërkuar mjetet e tyre duke i gërvishtur. Të dy të rinjtë kanë zbritur nga mjetet dhe fillimisht janë ofenduar me njëri-tjetrin. Më pas, Lekë Abazi, i ndihmuar edhe nga vëllai i tij, Eduart Abazi, kanë qëlluar me armë Saliun. Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ndërsa janë shpallur në kërkim dy vëllezërit. r.n